Lajme

Isa Mustafa: Kur dialogoja unë në Bruksel, nuk flitej për “non-papers”

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në kohën sa ka qenë kryqeveritar gjatë bisedimeve me palën serbe në Bruksel asnjëherë nuk është diskutuar që të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” dhe Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, siç u shkrua në një “non-paper” që u publikua këtë javë kinse për zgjidhjen finale për përmbylljen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi dialoguar për temat, për të cilat jemi marrë vesh dhe jemi pajtuar paraprakisht tre palët, Kosova, BE dhe Serbia”, tha Mustafa për Albanian Post.
Mustafa thekson se publikimi i këtij dokumenti është provokim për pavarësinë së Kosovës.
“Kjo çfarë është shkruar në ‘non paper’ s’ka qenë asnjëherë propozim dhe temë. Çështjet që janë shtruar aty janë provokim për Kosovën dhe pavarësinë e saj”.

Ai ka folur edhe Drejtoreshën Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian Angelina Eichhorst, për të cilën mediat serbe raportuan se është autore e “non paper”.
“Mund të them se njerëzit që në atë kohë kanë qenë në ekipin e zonjës Mogerini, asnjë prej tyre në asnjë rast nuk ka hapur apo testuar tema të tilla”.

Edhe vetë Eichhorst, të enjten, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post e ka mohuar një gjë të tillë.
“Publikimi natyrisht është marrëzi absolute. Delegacioni ynë në Serbi tashmë lëshoi një mohim të fortë dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli gjithashtu për këtë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Kurti sot dhe e refuzoi atë vendosmërisht”, thuhet në përgjigjen e Eichhorst.

Siç dihet, Angelina Eichhorst, është përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vjet, veçanërisht gjatë mandatit të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Përshkrimi i saj punës përfshinte gjithashtu intensifikimin dhe shpejtimin e bisedimeve midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.