Lajme

Hoti: Shtimi i rasteve me COVID-19 pasojë e moskujdesit pas lehtësimit të masave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se numri i shtuar i rasteve me koronavirus është pasojë e moskujdesit pas lehtësimit të masave të lëvizjes.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Qeveria në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke i zbatuar masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke shtuar se po i ndjekin hapat e vendeve të BE-së për rimëkëmbje ekonomike.

“Është krejtësisht në përgjegjësinë tonë që të mbrohemi dhe t’i zbatojmë me përpikëri masat e distancës fizike. Prandaj, sërish ju bëj thirrje që të shtojmë kujdesin për neve dhe familjarët tanë”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka renditur disa nga këshillat që qytetarët duhet ndjekur për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit.

– Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike

– Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta

– Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve

– Mbajeni distancën fizike

-Nuk lejohet më shumë se 1 person në 8 metra katrorë në lokale

– Pronarët e lokaleve janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve