Lajme

Hoti paralajmëron se takimi në Washington mbahet së shpejti

Takimi i shtyrë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Washington do të mbahet së shpejti.

Ky ka qenë paralajmërimi që kryeministri Avdullah Hoti ka dhënë të shtunën para gazetarëve, pas kthimit nga Brukseli, ku pati takime me zyrtarë të institucioneve të BE-së, raporton koha.

Në takimin që do ta ndërmjetësojë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Hoti ka thënë se Kosovën do ta përfaqësojë ai si kryeministër.

Kurse për pjesëmarrjen apo jo të presidentit Hashim Thaçi, Hoti ka deklaruar se i mbetet Grenellit të vendosë si nikoqir i takimit.

Kreu i ekzekutivit është i bindur se për çështjen e dialogut ekziston koordinim i plotë SHBA-BE dhe se takimet në Washington e Bruksel nuk janë të ndara, por pjesë e një procesi.

Publikimi i akuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka ndryshuar krejtësisht situatën, ka thënë ish i dërguari special i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, Petritsch ka thënë se, pas këtyre zhvillimeve, BE-së i hapur rruga që ta marrë sërish në dorë drejtimin e dialogut.

“Tani është e qartë se evropianët kanë përpara një mundësi të papritur për t’u kthyer sërish në rolin udhëheqës në këtë çështje. Unë do ta paralajmëroj Brukselin që të mos niset pa amerikanët. Ndoshta tani do të jetë jashtëzakonshme e vështirë për të bashkëpunuar me Grenellin dhe Trumpin, mirëpo në periudhë afatgjate, sidomos pas nëntorit, evropianët duhet të përfshijnë sërish amerikanët në këtë proces”, ka thënë ai.

Pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, sipas Petritsch, iniciativa amerikane për dialogun mund të konsiderohet e vdekur.