Lajme

Haradinaj porosi Kurtit: Mos i prek vendimet që i mora

Duke folur për vendimin e Qeverisë Kurti për rishikimin e vendimeve të Qeverisë Haradinaj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se kërkesa e tij e vetme në këtë pikë është të mos preken vendimet me interes nacional.

“Veç nja tri a katër mos t’i prekë, tjerat krejt le t’i ndërrojë, mos ta prekë Ushtrinë se nuk bën, Trepçën se nuk bën, pavarësinë energjetike se nuk bën, Ligjin për paga, Ligjin për Prishtinën, por edhe taksën. Krejt tjerat ndërroji. Kape shtetin, bëja më zi se Hashimi. Vendimet me interes nacional mos t’i prekë, për këto tema i them mos gabo se Kosova s’është e një mandati. Janë gjatë në opozitë, të uritur për pushtet, ka njerëz që presin për punë. Në tema të interesit nacional prishemi. Në të tjerat s’kemi ç’bëjmë. Në ato të interesit nacional nuk kemi qare pa të kundërshtuar”, ka thënë Haradinaj në KTV.

Duke folur për idenë e Qeverisë Kurti që mos bëhet Autostrada e Dukagjinit, por të bëhet zgjerimi i rrugës aktuale, Haradinaj ka thënë se “mund ta lëvizin autostradën, nëse kanë dilema se po i bie nga ara dikujt, por të paktën ta bëjnë”.

Sipas tij, “zgjerimi i rrugës aktuale është edhe më i shtrenjtë, por nuk i kryen punët e autostradës”.