Lajme

Haradinaj jep detaje nga takimi me Kurtin, nuk e mohon që e shau

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tregoi se nuk ka kursyer fare gjuhën e tij në takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Sipas Haradinaj, në qoftë se Kurti nuk do kthehet te kërkesa amerikane për shtyrjen e vendimit për targat pasojat do i bartë Kosova së bashku me partinë e tij.

“Unë nuk jam njëri nga ata që ia rrehi krahët kur e shoh që po e mbyt veten, e po e mbyt vendin, e po e mbyt shpinë, askujt nuk do ia rrehi krahët. Unë jam munduar ta ballafaqojë Kurtin me rreziqet, me gabimet, me pasojat që do i ketë. Po, nuk e kursej as gjuhën, e asnjë argument tjetër. Mos shko kësaj rruge se je duke e mbytur veten, vendin tënd, subjektin tënd e Qeverinë tënde. Shpresoj që të ketë pasur efekt tek ai, sepse ato nuk janë gjuha ime, por janë pasoja që do i marrë Kosova, por edhe ai vetë së bashku me partinë e tij. Çdo sekondë tash e tutje është tepër pa u kthyer te kërkesa amerikane”, vlerësoi Haradinaj në emisionin “Këndi i Debatit”, në tëvë1.

Më tej, Haradinaj tha se nga përvoja e tij e mëhershme, është shumë më e lehtë t’i vlerësoj këto situata aktuale me kohë.

“Në takimin e djeshëm jam munduar ta ballafaqojë Kurtin me dramat, sepse tani është një situatë e acaruar. Jam munduar ta kthejë në realitet, i kam thënë mos shih ëndrra, hyn në temë”, tha tutje Haradinaj.

Gjithashtu tha se para historisë ai ndihet i pastër, pasi sipas tij, Kurtin e ka paralajmëruar shumë më herët për ato që do pasojnë tutje.

Në takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti ishin të pranishëm edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i  LDK-së, Lumir Abdixhiku. Nga ky takim Haradinaj është larguar i pari duke thënë se  Kurtin “po mbante ligjërata”.