Haradinaj i del në mbrojtje Kurtit për Asociacionin: Është e keqe e trashëguar, na ka mbet në derë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, në lidhje me presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se Asociacioni është trashëguar nga qeveritë e kaluara, dhe se tash është obligim ndërkombëtar, që Kosova nuk mund ta mënjanojë.
E kemi një të keqe të trashëgume. Na ka mbet në derë. I ka mbet Kosovës. Është trashëgu nga paraardhësit tonë. Institucionet tona kanë marrë obligim ndërkombëtar për Asociacionin. E kemi, nuk ka dilema”, ka thënë ai.
Haradinaj foli edhe për Komisionin Menaxhues për Asociacionin, i cili tha se marrëveshja e vitit 2015, ka obliguar që ky komision të përbëhet nga persona të nacionalitetit serb.
Është e pritshme që me konsumu njëherë produktin e këtij komisioni, që nuk është produkt i Kurtit, por i marrëveshjes 2015. Nuk besoj as amerikanët që kanë pritur befasi, që kanë pritur prej serbëve të shkruajnë Asociacion që na pëlqen”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka thënë se ai dhe partia e tij, nuk ka kontribuuar për këtë marrëveshje, përkundrazi ai i ka përmendur protestat që ka marrë pjesë kundër Asociacionit.
Kam protestu kundër Asociaiconit, ai presioni me protesta, ka rezultu, që gjykata na ka nxjerrë prej rrugëve. E kam ndihmu Kosovën kur e kam kundërshtu Asociacionin. Nuk kam asnjë hise në Asociacion, asnjë hise asnjë ndihmë. Është e keqe e trashëgume. A po ankohemi për Gjykatën Speciale, por e kemi bërë vetë. Situata nuk është ndryshe, dikush e ka marrë obligim, sikur me Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti, i ka bërë disa gabime sa i përket komunave veriore dhe dialogut.
Sipas tij, Kurti nuk e ka studiuar mirë pozicionin e Kosovës, në lidhje me tabelat e veturave për veriun.