Shqipëri

Hapet ‘bypassi’ i Vlorës

E premtja e 16 korrikut do t’i gëzojë jo pak shqiptarët, pasi rruga e re me gjatësi 29 kilometër – e njohur si Bypass-i i Vlorës – do të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt qytetit bregdetar.

Ndërsa puna vijon, përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor janë ndërtuar 15 kryqëzime dhe pesë ura kryesore, raporton Albanian Post.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.

Dhjetë vjet pritje

Projekti madhor i Bypass-it të Vlorës ka nisur kaherë i mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ai është projektuar që në gjenezë, në përputhje me standardet përkatëse të BE-së, si edhe me ligjet përkatëse kombëtare.

Më 22 nëntor të vitit 2011, projekti “Rrugët e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës” u miratua nga bordi dhe u vlerësua në kuotën 167 milionë euro.

Bypass-i i Vlorës kalon kryesisht përmes tokave bujqësore, me një ndikim minimal mbi prona rezidenciale dhe tregtare. Duke u bazuar mbi informacionin e censit të fundit, 224 prona do të preken nga procesi i shpronësimit dhe i risistemimit, si edhe do të kualifikohen për kompensim.