Të fundit

Gjakova nuk harron, proteston kundër ardhjes së serbëve në Kosovë

Në Gjakovë nesër do të protestohet kundër ardhjes së serbëve në Kosovë për shkak të Krishtlindjeve Ortodokse.

“Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta. Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër”, thuhet në njoftimin e protestës.

“Jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare”.

Protesta do të mbahet nesër nga ora 08:00 tek rruga “Mbretëresha Teutë”.

“Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen”.

“Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë”.

“Gjakova NUK harron! Gjakova kërkon drejtësi”!