Gashi u bënë thirrje bashkëkombasve që jetojnë në Zvicër, që ti dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkollat shqiptare
Ditën e djeshme, Valon Gashi, Këshilltar në Ambasadën e RSH në Bernë, bashkë me mësueset e shkollave shqipe në Zvicër, Albulena Jusifin, Mimoza Bejkollari Dako dhe Teuta Idrizi Myrtaj shpërndanë tekste shkollore në shkollën më të re shqipe, në Oetwil am See të Zyrihut.
“Ishte një kënaqësi e madhe të shihnim nxënësit e interesuar për abetaren, gjuhën, historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë shkollë, mësimi zhvillohet çdo të hëne ora 16:30 – 18:15”- është shprehuri z.Gashi.
“Kam vetëm një kërkesë shumë të sinqertë për të gjithë bashkëkombasit e trojeve që jetojnë në Zvicër, ju lutem dërgoni fëmijët tuaj në shkollat shqiptare. Ruajtja dhe mbrojtja e identitetit Kombëtar sot në diasporë, është jo vetëm detyrim patriotik por edhe detyra jonë kushtetuese për arsimim, kështu që dërgoni fëmijët që të mësojnë gjuhën e ADN-së së tyre.”- shkroi z.Gashi në profilin e tij në facebook.