LajmeTë fundit

Formimi i Qeverisë, Mustafa ka një porosi për Lëvizjen Vetëvendosje

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se partneri negociues për formimin e qeverisë Lëvizja Vetëvendosje lirisht mund ta themelojë qeverinë nëse e ka votën e qytetarëve dhe mandatet, por kjo nuk do të thotë se LDK domosdo do të bëhet pjesë e qeverisë.

“Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmangë vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me kryetarin e Kuvendit”, shkruan Mustafa në Facebook.

Sipas tij, caktimi i mandatarit për kryeministër dhe formimi i qeverisë në këtë fazë është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje. Postimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të certifikuara nga KQZ.

Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë.

Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjetër, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme.

Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë.