Bota

Ekzekutohet udhëheqësi i ISIS, Trump: Vdiq si qen, si një frikacak duke qarë

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi përmes një deklarate për shtyp vdekjen e liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi gjatë një operacioni të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në veriperëndim të Sirisë.

Duke folur përpara gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Al Baghdadi aktivizoi xhupin e tij me eksploziv gjatë operacionit të forcave speciale mbrëmjen e së shtunës.

Një një deklaratë të pazakontë për shtyp Trump u shpreh: “Ai vdiq pasi vrapoi në thellësinë e një tuneli që nuk kishte dalje duke qarë e ulëritur gjatë gjithë rrugës. Personi që u përpoq aq shumë të intimidonte të tjerët i kaloi momentet e fundit të jetës së tij në frikë dhe panik total nga forcat amerikane që i ishin vënë pas”. Më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se gjatë operacionit ushtarak në Siri nuk pati asnjë humbje jete në radhët e trupave amerikane

Abu Bakr al-Baghdadi doli në pah në vitin 2014 kur ai shpalli krijimin e “Kalifatit” në disa zona të Irakut dhe Siri. Grupi që ai drejtonte i quajtur Shtetit Islamik është përgjegjës për dhjetëra mijëra viktima në mbarë botën. Grupi xhihadist vendosi një regjim brutal mbi 8 milionë njerëz në zonat që kishte në kontroll dhe ishte përgjegjës për shumë sulme vdekjeprurës në qytete të ndryshme të botës. Shtetet e Bashkuara më herët gjatë këtij viti shpallën kapitullimin e të ashtuquajturit “Kalifat” të Shtetit Islamik.