Shqipëri

E kthjellët, bosh dhe ‘memece’, si u zgjua sot Tirana

Në orët e para të mëngjesit Tirana është e zhurmshme. Zërin e njerëzve të sapozgjuar përgjithësisht e zëvendësojnë zhurmat e makinave dhe urbanëve të cilët dynden në rrugët e kryeqytetit për të cuar secilin në punë ose në shkollë.Por mëngjesi i sotëm, megjithëse i kthjellët e plot diell, e ka gjetur Tiranën bosh dhe ‘memece’.Makina nuk ka pothuajse fare, përvec atyre që kanë autorizim të lëvizin. Po ashtu edhe njerëz sheh shumë rrallë.Këtë pejsazh të kryeqytetit mund ta kujtojnë vetëm ata që kanë jetuar para viteve 90’ kur makinat ishin të rralla, ose ata që kanë përjetuar shtet-rrethimet e vitit 1997.Por sot rrugët e qytetit janë të zbrazura për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit. Qytetarët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk është absolutisht e nevojshme lëvizja e tyre.Kjo situatë pritet të zgjasë deri të dielën sipas atyre që tha dje kryeministri Rama. Deri atëherë pritet të identifikohen rastet e mbetura me koronavirus dhe të frenohet sa më shumë shtimi i numrit të tyre. /Opinion.al