Lajme

“Do të mbrojmë vendin nga agresorët!”, Serbia me sistem anti-dronë nga Rusia

Ndërsa Kosova po përpiqet të fuqizojë kapacitetet ushtarake me ndihmën e Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia mbështetet tek aleati historik Rusia. Presidenti Aleksandër Vuçiq njoftoi të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilin e ka blerë nga Moska.

Prezantimi i tij do të behet në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin jugor Nish. Gjatë një vizite në kazermën Topçider në kryeqytetin serb më 30 janar, Vuçiq u zotua se do të mbrojnë vendin nga çdo agresor i mundshëm.

“Ne po përgatitemi të shpëtojmë vendin tonë, pasi në kushtet aktuale nëse nuk ke një ushtri të fuqishme, nuk do të kesh as komb e as shtet. Duhet të fuqizojmë siç duhet mbrojtjen tonë dhe konceptin e të ashtuquajturës mbrojtje totale.”, tha Vuçiq.

Sipas tij, nga buxheti i Serbisë janë ndarë para për 701 sisteme komplekse të armëve nga industria vendase, ndërsa mbi 850 të tjera do të sigurohen javën e ardhshme. Ai përsëriti se Serbia është një “superfuqi rajonale e tankeve” dhe se është “afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina”.