Lajme

Borrelli për Thaçin: U arrestua sa ishte president dhe u dërgua në Amsterdam

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell gjatë fjalimit të tij nëForumin për të Drejtat e Njeriut ka përmendur rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që po gjykohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Borrell gjatë fjalimit ka thënë se “Thaçi po pret të gjykohet në Amsterdam” dhe se ishte arrestuar sa ishte ende president.

Thaçi pasi kishte pranuar aktakuzën nga Dhomat e Specializuara, kishte mbajtur konferencë për media, duke thënë se jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi në Hagë nuk dëshiron të shkojë si president i vendit.

Borrell në fjalimin e tij ka folur për shumë vende, ndër to edhe për Kosovën dhe Dhomat e Specializuara.

“Ne kemi themeluar një mekanizëm special për zgjidhjet pas konflikteve. Dua të përmendi Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti i Kosovës tash është në Amsterdam dhe po pret të gjykohet. E misioni ynë i Policisë në Kosovë ishte në detyrë për arrestimin e tij. E arrestoi sa ishte ende president dhe e dërgoi në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë Borrell.

Ndaj deklaratave të Borrellit ka pasur reagime nga PDK-ja.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se “gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e gjyqësorit kundër ish-krerëve të UÇK-së”.

“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

E po ashtu ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

“Deklaratat e Borrellit janë në linjë me pretendimet skandaloze të Prokurorisë së Dhomave Specializuara të Kosovës. Një dëshmi që BE-ja tashmë është pozicionuar jo për një gjyq fer dhe të paanshëm të krerëve të UÇK-së, por me pretendimet skandaloze të Prokurorisë”, ka shkruar Deliu.

Forumi për të Drejtat e Njeriut po organizohet nga BE-ja në bashkëpunim me organizata joqeveritare.