Blinken deklarohet për zgjidhjen e krizës pas bisedës me Kurtin dhe Vuçiqin
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin planin trepikësh të Bashkimit Evropian si “rruga më e mirë përpara” për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
Pas bisedave telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sekretari Blinken ka shkruar në Twitter se ka kërkuar shtensionimin e gjendjes dhe kthimin e menjëhershëm në dialog.
“Sot kam folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti për të kërkuar shtensionimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, ka shkruar ai në Twitter në orët e para të së martës.
Për bisedën me Vuçiqin, Blinkeni ka thënë se ka biseduar “për të theksuar rëndësinë e depërshkallëzimit të menjëhershëm”.
“Mirëpresim lirimin e policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim planin e duhur trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, ka thënë ai për bisedën me Vuçiqin.
Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.
Që nga fundi i muajit maj në veri të Kosovës ka pasur tensione pas nisjes së protestave nga serbët lokalë që kanë kundërshtuar ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj nga objektet komunale. Protestat nisën me dhunë dhe si pasojë e tyre fillimisht pësuan rreth 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë të Kosovës, si dhe në vazhdimësi gazetarët e ekipet mediale.
Situata u përshkallëzua më 14 qershor, kur forcat serbe rrëmbyen tre policë të Kosovës brenda territorit të vendit. Të tre policët u liruan të hënën.