Bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington, Vuçiq paralajmëron shtyrje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mundësinë e shtyrjes së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të planifikuara të mbahen më 2 shtator në Uashington të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se ende asgjë nuk është vendosur, por ka sinjale se mund të ketë një shtyrje “prej dy ditësh, ose diçka të tillë”. Ai u tha gazetarëve se nuk e di se cilat tema do t’i paraqesin nikoqirët e takimit, përveç temave të ekonomisë, për të cilat tashmë janë informuar. Nga ana tjetër Kosova ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mundësinë e shtyrjes së takimit. Ndërkohë, presidenti i Serbisë tha se në asnjë rrethanë nuk ka mundësi që njohja e Kosovës të nënshkruhet në Uashington. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Riçard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Administrata amerikane ka konfirmuar se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.