Bota

BE akordon 600 milionë euro ndihmë për refugjatët sirianë

Pothuajse 600 milionë euro do të shpenzohen nga BE për ndihmë humanitare dhe mbështetje për refugjatët sirianë në vendet fqinje, pas miratimit sot nga Parlamenti Europian.

Pjesa më e madhe e parave do të shpenzohet në Turqi, 485 milionë euro, që të mund të vazhdojë ndihma urgjente humanitare për refugjatët.

“BE-ja do të mbështesë refugjatët në Turqi përsa kohë që nevojat humanitare vazhdojnë. Ky financim i ri tregon shqetësimin tonë të thellë për më të prekurit, veçanërisht tani që koronavirusi ka përkeqësuar më tej situatën e tyre tashmë të rëndë”, tha eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

Në të njëjtin votim, Parlamenti i BE-së miratoi, gjithashtu, një skemë mbështetjeje prej 100 milionë eurosh për refugjatët dhe komunitetet pritëse në Jordani dhe Liban.