Bota

Austri: Nga 1 shkurti kush nuk vaksinohet do të gjobitet me 3600 euro

Ligji i ri për vaksinimin e detyruar zbatohet për të gjithë ata që banojnë në Austri, ky ligj do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Përjashtimet janë të mundshme për gratë shtatzëna dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore.

Kështu, në fillim të shkurtit, Austria do të jetë vendi i parë i BE-së që do të fusë në fuqi vaksinimin e detyrueshëm kundër koronavirusit, transmeton albinfo.at. Kjo del nga një projektligj që qeveria austriake ka prezantuar të dielën në Vjenë

Detyrimi për vaksinim duhet të zbatohet për personat e moshës mbi 18 vjeç dhe jo, siç ishte planifikuar më parë, nga 14 vjeç e sipër.

Ligji në parlament është planifikuar të miratohet më 20 janar. Kjo konsiderohet një formalitet sepse koalicioni qeverisës i ÖVP-së konservatore dhe të Gjelbërve ka shumicën e thjeshtë të nevojshme.

Përjashtimet janë të mundshme

Kontrollet duhet të fillojnë në mes të marsit, në vende si në trafikun rrugor, ka thënë Ministri i Shëndetësisë Wolfgang Mückstein (Të Gjelbrit). Ligji parashikon gjoba të larta: Kushdo që nuk përmbush detyrimin për vaksinim dhe humbet një datë vaksinimi duhet të paguajë nga 600 deri në 3600 euro.

Rregullat e reja vlejnë për të gjithë ata që banojnë në Austri. Bëhen përjashtime për gratë shtatzëna dhe për personat që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore. Ata që janë shëruar nuk preken nga rregullat e reja për 180 ditë.