Lajme

Arrestohen 7 persona në Aargau, 4 prej tyre shqiptarë

Policia e Kantonit Aargau të Zvicrës dhe njësitet e Rojave Kufitare kanë zhvilluar mbrëmjen e të premtes një aksion përmasash të gjera në luftë kundër krimit, njofton polizeinews.ch.

Aksioni ka qenë i ngjashëm me atë që ishte zhvilluar një javë më parë, përveç që ky i të premtes ka qenë “më pak spektakolar”, thonë në polici.

Me këtë rast, kontrollimit i janë nënshtruar makinat që dilnin nga autostrada A1 në rrugët magjistrale të Kantonit të Aargaut, transmeton albinfo.ch. Patrullat e policisë dhe Rojave kufitare kanë zënë pozicione në pika të ndryshme kontrolli, duke ndaluar makina të shumta.

Si rezultat i aksionit, policia ka arrestuar shtatë persona, të dyshuar për delikte të ndryshme. Bëhet fjalë për dy shtetas të Kosovës, dy të Shqipërisë, një të Eritresë, një të Marokut dhe një tjetër të Zvicrës.

Ata janë ndaluar për mosrespektim të ndalimit për hyrje në Zvicër që u është shqiptuar më herët, pastaj për dyshim të kryerjes së akteve të grabitjes dhe për qëndrim ilegal në Zvicër.

Po ashtu në mesin e të ndaluarve ka pasur drejtues të makinave që po ngisnin nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.