Kryesore

Arifi shkarkon Kryeshefin e Inspektoriatit Komunal Enver Aliun

Kryetari i Preshevës përmes një postimi në facebook ka njoftuar qytetarët e Preshevës se ka shkarkuar nga detyra Kryeshefin e Inspektoriatit Komunal në kuadër të Komunës së Preshevës, Enever Aliu.

Sipas njoftimit të postuar nga vet Arifi në facebook thuhet se Kryeshefi i inspektoriatit komunal ka shkelur rëndë rregulloren, ligjet përkatëse, funksionin e tij dhe mbi të gjitha besimin e dhënë për kryerjen e detyrës, me ç`rast personi në fjalë shkarkohet menjëherë nga funksioni i cili ka ushtruar.

Enver Aliu, deri më sot Kryeshef i inspektoriatit komunal, i emëruar nga APN, është shkarkuar nga detyra si pasojë e keqpërdorimit të detyrës duke filluar ndërtim pa leje në rrugën “Qemal Shehu”. Ky ndërtim është denoncuar nga qytetarët e kësaj rruge në administratën komunale 10 ditë më parë.

Njoftimi i plotë i z.Arifit :

Jam informuar me një letër të disa qyetatarëve të Komunës së Preshevës në lidhje me kërkesën e ndërmarrjes së veprimeve zyrtare e cila ka të bëje me fillimin e një ndërtimi pa leje në rrugën “Qemal Shehu” nga ana e kryeshefit në detyrë të inspektoriatit komunal, Enver Aliu.

Sipas informatave, vetëm pak ditë pas protokollimit të kësaj kërkese janë ndërmarrur hapa administrativ ndaj kësaj çështje dhe është përpiluar procesverbali mbi kontrollin e inspekcionit komunal që ka rezultuar dy ditë më vonë në Aktvendim për ndalimin e punimeve dhe demolimin e këtij objekti familjar në arsyetim të mungesës së lejes përkatëse.

E tëra kjo ngjarje dëshpruese ka ndodhur në dhjetë ditët e fundit gjatë situatës së jashtëzakonshme lidhur me pandeminë globale Covid-19, ndërsa pas shqyrtimeve të fakteve kam arritur në këtë konkluzion:

1. Kryeshefi në detyrë i inspektoriatit komunal ka shkelur rëndë rregulloren, ligjet përkatëse, funksionin e tij dhe mbi të gjitha besimin e dhënë për kryerjen e detyrës. Askush nuk qëndron mbi ligjin, prandaj personi në fjalë LIROHET menjëherë nga funksioni i ushtruar dhe më tej nuk i vazhdohet kontrata e punës (e cila ishte e perkohshme).

2. Mekanizmat kontrolluese të administratës komunale kanë funksionuar ashtu siç është e paraparë, meqë edhe pse gjatë situatës së jashtëzakonshme, inspektori komunal me aktvendimin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e saj ka ndërmarrur hapa administrativ ndaj shefit të tij dhe me këtë ka vepruar konform rregullores dhe ligjeve përkatëse.

3. Letra e qytetarëve është dërguar në administratën komunale dhe është protokoluar 10 ditë më parë.

Në fund, theksoj se do të ndërrmirren gjithmonë masa të ashpra, për të gjithë ata që me veprime të tilla jashtëligjore cënojnë besimin dhe shkelin mbi vizionin tonë.