Të fundit

Arifi për projektin e trotuarit në Preshevë: Punëkryesi dhe mbikëqyrësi ishin të burgosur për shkak të malverzimeve

“Për projektin e trotuarit të kushtueshëm gjysëm milion euro në Preshevë, punëkryesi dhe mbikëqyrësi ishin të burgosur për shkak të malverzimeve nga një projekt tjetër në Bujanoc.” – ka deklaruar kryetari i APN-së Shqiprim Arifi, përcjell Ministria e Lajmeve.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të z.Airifi :

Projekti i trotuarit nga ish-tregu deri tek shkolla fillore në Preshevë që kushton rreth 500.000 euro, pushtetit të tanishëm ka filluar t’ua shpalos përvojat e tyre korruptive duke filluar me ndryshimin e mbikëqyresit të këtij projekti kapital.

Siç kemi njoftuar opinionin e gjerë të Komunës së Preshevës, mbikëqyrësi i këtij projekti është zgjedhur një kompani nga Beogradi, e cila është themeluar vetëm një muaj nga pranimi i këtij projekti, ndërkaq personi përgjegjës për projektin, është me profesion inxhinjer i elektronikës dhe nuk i plotëson kushtet themelore për mbikëqyrjen e këtij projekti.

Nga informatat e fundit, punëkryesi i projektit të trotuarit Saba Bellça, ka pasur bashkëpunim me mbikëqyrësin, respektivisht pronarin e kompanisë “MKD Inxhinjering” edhe në projektet tjera në Komunën e Bujanocit ku janë shfaqur parregullësi.

Sipas një artikulli të publikuar në portalin “Republika”, pronari i kompanisë Saba Bellça – tanimë mbikëqyrësi i këtij projekti, së bashku me pronarin e lart-përmendur, ishin burgosur shkaku i malverzimeve e pazarllëqeve, në një projekt të asfaltimit në fshatin Rakovc të Komunës së Bujanocit gjatë vitit të kaluar.

Keqpërdorimet dhe dështimet e përfoluara qëndrojnë dhe dalin në pah, tek rruga e asfaltuar më një kualitet të dobët,ndërkohë që punëkryesi ka fakturuar këtë “punë”, Komunës së Bujanocit me një shumë prej 8.8 milion dinarë.

Tani, meqë përvojat korruptive të qeverisjes së tanishme nga subjektet e stërvjetëruara janë faktike, shtrohet pyetja se si është zgjedhur një mbikëqyrës-përgjegjës që nuk i përmbush kriteret e kompetencat profesionale dhe që për më tepër është i involvuar në malverzime në projekte tjera kapitale në Komunën e Bujanocit.

*për të akuzuarit vlenë parimi i prezumimit të pafajësisë deri faktizimin nga gjyqi përkatës.