LajmeTë fundit

AMBASADORJA ÇITAKU PRANË MIKE POMPEO NË NDERIM TË SENATORIT BOB DOLE

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Vlora Çitaku, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së gradës së nderit, Kolonel i Ushtrisë Amerikane për Senatorin Bob Dole. Në këtë ceremoni ambasadorja Çitaku është shfaqur afër sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo dhe Shefit të Shtabit të Ushtrisë Amerikane.

Me këtë rast ajo ka falënderuar senatorin Dole që e ka bërë Kosovën pjesë të kësaj ceremonie madhështore.

“Amerika di t’i nderojë heronjtë e vet. E nderuar që bashkë me Sekretarin e Shtetit Pompeo dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, pata privilegjin të marr pjesë në ceremoninë e dhënies së gradës së nderit Kolonel i Ushtrisë Amerikane për Senatorin Dole. Senatori Dole është veteran i dekoruar i luftës së dytë botërore. Senatori Dole është vetëm amerikani i tretë të cilit i ndahet kjo dekoratë nderi. Para Senatorit Dole, promovim nderi nga Ushtria Amerikane kishte pranuar Presidenti i Parë i Amerikës George Washington dhe William Clark, eksploruesi i famshëm amerikan. Faleminderit Senator Dole që e bëre Kosovën pjesë të kësaj ceremonie madhështore”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e vet në “Facebook”.