Lajme

Ambasadori rus në BE: Kam parë harta të “Shqipërisë së madhe”, përfshihet edhe një pjesë e Greqisë

Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, ka thënë se ideja për “Shqipërinë e madhe” do të nxiste precedent për vendet tjera në rajon.

Duke folur në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” në margjina të Forumit Ekonomik Delphi gjatë këtij muaji, Chizhov, siç shkruan kjo gazetë, është shprehur kundër ambicieve të Tiranës për krijimin e një “Shqipërie të madhe” pasi shkëmbimi i supozuar i territorit mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të vendoste një precedent për vendet tjera në rajon.

Duke folur për Marrëveshjen e Prespës, ku u arrit marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, Chizhov tërhoqi një paralele me çështjen e Kosovës.

“Kushtetuta e Maqedonisë u shkel haptazi, referendumi u shpall i pavlefshëm, presidenti nuk e nënshkroi ai, dhe tani kolegët e mi në BE po thonë se kjo duhet të shërbejë si mostër për zgjidhjen e çështjeve tjera. Dhe e para që na sillet në mendje është Kosova. Kosova, përndryshe, është çështje shumë e komplikuar. Nëse merren vesh si duhet, propozimi për shkëmbim territorial mund të funksionojë. Por kjo mund të vë edhe precedent, që mund të shkaktojë probleme edhe në Maqedoninë e Veriut, ku një pjesë substanciale e popullatës është shqiptare. I kam parë disa harta të Shqipërisë së madhe, ku edhe një pjesë e konsiderueshme e Greqisë është e përfshirë”, ka deklaruar Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov.

Ai ndërkaq arritjen e marrëveshjes Greqi-Maqedoni për emrin e ka quajtur si jo demokratike, pasi, sipas tij, ambasadori amerikan, në ditën kur po votohej marrëveshja në Kuvendin e Maqedonisë, ka qëndruar tërë ditën në objekt duke u bërë presion tre parlamentarëve që kanë qenë duke vuajtur dënimin me burgim.

“Ata u liruan nga burgu për të votuar”, tha ai, duke shtuar se Rusia ka qenë haptazi kundër marrëveshjes sepse, siç tha Ambasadori Chizhov, kjo nuk është mënyrë për të zgjidhur një problem.