Lajme

Albin Kurti s’pranon të marrë vaksinat kineze si dhuratë nga Shqipëria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendosjes së masave të reja për të kufizuar përhapjen e pandemisë Covid-19, u ndal edhe tek çështja e vaksinave.

Ai tha se Kosova, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk e ka luksin të pranojë vaksina të prodhuara nga shtete si Rusia dhe Kina, pasi këto dy vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Unë kam qenë në konkat me kryeministrin në lidhje me vaksinimin në Kukës, ku kemi kërkuar që kjo t’u mundësohet edhe mësimdhënësve dhe jo vetëm punëtorëve shëndetësorë, por për këtë gjë më pas kanë vazhduar komunikimin e tyre, ministri Vitia dhe ministrja Manastirliu dhe ata mund t’ju njoftojnë më shumë. Në parim duhet ta kemi parasysh, që Republika e Kosovës duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë, në mesin e të cilave janë dhe dy fuqi të mëdha që janë vende anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej, siç po bëjnë disa shtete të tjera”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për gatishmërinë që ka treguar Shqipëria për të ndihmuar Kosovën në vaksinimin e bluzave të bardha dhe mësimdhënësve, por në këtë pikë Kurti la të kuptohet se nuk do të pranojnë të marrë vaksinat kineze.

“Pra, orientimi ynë është evropian edhe euroatlantik me shtete, të cilat na kanë njohur dhe prandaj kemi rezervën tonë dhe skepticizmin tonë, por njëkohësisht qëndrimin tonë të qartë karashi ofertave të ndryshme, të cilat mund të na vijnë nga shtete mos-njohëse jashtë Evropës. Situata në këtë aspekt është me delikate për Kosovën sesa me vendet e tjera të rajonit”, shton Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Shqipëria do të vaksinojë mësuesit kur të ketë doza të vaksinës “Pfizer” ose “AstraZeneca”, pasi vaksina kineze konfirmoi ai nuk është opsion për Kosovën.

“Në ndërkohë vaksinat erdhën me kontingjentin e parë dhe vaksinimi i personelit shëndetësorë më shpejt ndodhi në Kosovë dhe kam kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që kjo të mundësohet edhe në vaksinimin e kategorive tjera. Fatkeqësisht numri i vaksinave “Pfizer” dhe “AstraZeneca” janë shpenzuar, dhe kanë mbetur vetëm ato nga Kina”, tha Vitia.