Lajme

Albin Kurti reagon për përleshjen fizike mes Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka theksuar se kandidati i listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i koalicionit PSD/AAK, Dardan Molliqaj, pas emisionit televiziv Pressing në T7.

“Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë”, ka shkruar Kurti.

“Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë”, është shprehur Kurti.

Kurti ka deklaruar se “presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”.

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka theksuar se është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, pas debatit që ata që kishin në T7.

Kurse Molliqaj ka shkruar se asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione.