Lajme

Aksioni në Veri: 6 policë lëndohen nga granata e dorës, mes tyre edhe komandanti i Specialëve

Aksioni i policisë në Veri të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave ka lënë gjashtë policë të lënduar.

Siç merr vesh Albanian Post, mes policëve të lënduar është edhe komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

Asnjë nga të lënduarit nuk është në rrezik për jetë.

“Ata po trajtohen në spitalin e Mitrovicës së Jugut, derisa pritet të nisen për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka thënë burimi për AP-në.

Edhe Policia e Kosovës ka dalë me komunikatë për media, ku thuhet se policët mbetën të lënduar “si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë”.

“Deri më tani është raportuar se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb”, thuhet në komunikatën e policisë për media.

“Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”.

Gazetarja e Albanian Post, Blerta Ahmeti, nga vendi i ngjarjes ka treguar se pas përplasjes që kishte policia me protestuesit, jo zyrtarisht, mësohet se kanë mbetur të lënduar edhe disa protestues.

VIDEO

Serbët lokalë tashmë kanë bllokuar rrugën te Lagjja e Boshnjakëve, ku ndodhi edhe aksioni i policisë, qysh në orën 09:00 të mëngjesit.

Rruga është bllokuar me kamionë, njëjtë siç kishte ndodhur ditë më parë në pikat kufitare.