Të fundit

Agim Veliu i kthen përfundimisht përgjigje ofertës së Vetëvendosjes

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është nënçmuese dhe “përpjekje e VV-së për pushtet absolut”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Veliu ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për arritjen e koalicionit “janë të dështuara”.

“Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, ka shkruar Veliu në profilin e tij të rrjetit social Facebook.

Kreu i Komunës së Podujevës është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të fitojë pushtet absolut në vend përmes koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votë”, ka thënë Veliu. “E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”.

Veliu ka deklaruar se kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, kanë tendencë t’ia ndërrojnë LDK-së të shkuarën e saj.

“Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi”, ka thënë Veliu. /Insajderi.com