Opinione

Mbi flakët që kanë përfshirë Shqipërinë…

Dhuna e opozitës kundër institucioneve qendrore të pushtetit në Shqipëri është e papranueshme. Është dhunë e një opozite me liderë të korruptuar. Është dhunë e një opozite që në zgjedhjet e fundit ka pësuar debakël.
Por kjo dhunë s’erdhi nga qielli. Ky shpërthim nuk po vjen papritur. Kur një ministër i Brendshëm dyshohet e akuzohet për kontrabandë me drogë, kur zyrtarë të lartë të policisë marrin azil në Holandë e Zvicër, sepse kanë denoncuar dilerët e drogës me rroga të shtetit, kur kontratat me partneritet publiko-privat janë vetëm maskë për vjedhje, kur planet për rrëzimin e godinave në Tiranë janë vetëm skema për grabitje, kur për një kilometër asfalt ndahen shuma astronomike, kur reforma për drejtësi shfrytëzohet për instalim të të dëgjueshmëve në prokurori e gjykata, kur përmes firmave fiktive tentohet të vidhen miliona nga buxheti, kur qeveria i blen mediat duke u ndarë atyre miliona euro, kur biznesmenët thonë se kjo qeveri ka krijuar monopole me firmat që i kontrollon, atëherë – atëherë mos të befasohet askush për këtë gjendje të Shqipërisë. Është mjerim, është trishtim. Dhe për këtë faji është sidomos i Edi Ramës. Por, kush beson sinqerisht se Shqipëria do të ecën në rrugë të mbarë me Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin? A ka shoqëria shqiptare nga Kukësi në Sarandë fuqi të bëjë një kthesë të madhe politike, të krijojë diçka të re, të shporrë të vjetrën, të keqen, të korruptuarën? Kjo është e domosdoshme më shumë se kurrë.