Lajme

Sulmohet fizikisht Hysni Mehani në Skenderaj, LVV akuzon Sami Lushtakun dhe shoqëruesit e tij

Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar fizikisht zëvendësministri i Financave, kandidati për deputet dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Për rastin, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka akuzuar kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij.

Sipas reagimit të LVV-së, incidenti ndodhi derisa Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë. Fillimisht, Mehani thuhet se është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë.

Në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, po ashtu është sulmuar fizikisht nga shoqëruesit e Lushtakut, duke pësuar lëndime.

Sipas njoftimit, Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor.

LVV e ka cilësuar ngjarjen si “sulm fizik banditesk”, duke kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe të ndërmarrin veprimet ligjore ndaj përgjegjësve. Gjithashtu, partia ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës që ta dënojë publikisht incidentin.

Në reagim thuhet se “askush nuk mund t’i frikësojë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”.