Kënga “Dai Dai” e Shakirës do të jetë himni zyrtar i Botërorit
Këngëtarja kolumbiane, Shakira, ka bërë të ditur se kënga e saj e re, “Dai Dai”, do të jetë kënga zyrtare e Kupës së Botës 2026, që do të mbahet në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Artistja e njoftoi lajmin këtë të enjte përmes një videoje të shkurtër në rrjete sociale, ndërsa kënga pritet të publikohet më 14 maj.
Kjo është hera e tretë që Shakira lidhet me muzikën e Botërorit, pas suksesit të madh me “Waka Waka (This Is Africa)” në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010 dhe “La La La” në Botërorin e Brazilit 2014.
Në videon e publikuar, e xhiruar në stadiumin Maracana në Rio de Janeiro, Shakira shfaqet e veshur me bluzë të verdhë dhe pantallona të shkurtra blu, e shoqëruar nga disa kërcimtare dhe me topa futbolli pranë, teksa këndon disa pjesë nga “Dai Dai”.
Titulli i këngës, sipas shpjegimit, në italisht nënkupton “hajde, hajde/ejani”, megjithëse Italia nuk do të jetë pjesë e turneut.
