Të fundit

Sinani: Vetëm më 3 dhe 4 dhjetor janë dorëzuar 43 padi për shpronësim të pronave në Komunën e Preshevës

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar qytetarët për një situatë shqetësuese që ka prekur institucionet komunale gjatë ditëve të fundit. Vetëm më 3 dhe 4 dhjetor, në Avokaturën Komunale kanë arritur 43 padi të reja, të gjitha të lidhura me çështje shpronësimi të pronave në vendbanime të ndryshme të komunës.

Sipas Sinanit, numri më i madh i padive vjen nga fshati Corroticë, dhe të gjitha janë paraqitur nga e njëjta avokate nga Leskovci, Kristina Iliq Disiq. Ajo theksoi se ky valë padish paraqet një barrë serioze financiare për komunën.

Njoftimi i plotë :

📢 Njoftim për qytetarët e Komunës së Preshevës

Njoftojmë qytetarët se ndaj Komunës së Preshevës, përkatësisht në Avokaturën Komunale, vetëm gjatë datave 3 dhe 4 dhjetor kanë arritur 43 padi lidhur me çështje të shpronësimit të pronave në vendbanime të ndryshme të komunës sonë. Numri më i madh i këtyre padive vjen nga qytetarë të fshatit Corroticë, dhe të gjitha janë paraqitur nga e njëjta avokate nga Leskovci, Kristina Iliq Disiq.

Këto padi dhe ato të tjera që pritet të dorëzohen janë tejet shqetësuese dhe përbëjnë një ngarkesë të papërballueshme për buxhetin e Komunës. Vetëm gjatë këtij viti, Komuna ka paguar rreth 70 milion dinarë për dëmshpërblime, ndërsa për vitin 2026 pritet që buxheti të dëmtohet me mbi 50 milion dinarë të tjera si rezultat i padive të njëpasnjëshme.

Për këtë arsye, i lusim qytetarët që të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së këtyre padive, pasi në mungesë të mjeteve financiare, komuna është e detyruar të ndërmarrë masa ndaj çdo personi që shkakton dëm të pajustifikueshëm në buxhetin publik. Këto masa mund të përfshijnë, ndër të tjera, rritjen e tatimit në pronë deri në shumen e dëmit të shkaktuar, si dhe ndërmarrjen e procedurave të tjera ligjore.

Lusim qytetarët të mos bien pre e manipulimeve të avokatëve, sidomos atyre nga Leskovci dhe Vranja, pa u konsultuar më parë me organet kompetente të Komunës së Preshevës, respektivisht me Shërbimin Pronësoro-Juridik, ku çdo kërkesë për shpronësim duhet të dorëzohet zyrtarisht. Shumë prej këtyre avokatëve veprojnë duke ndjekur interesin e tyre personal dhe jo interesin tuaj si qytetarë.

Për sqarim, ju rikujtojmë se në të kaluarën ka pasur raste sidomos nëpër fshatra ku qytetarët kanë përfituar shuma minimale, ndërsa avokati i tyre ka përfituar tre deri katër herë më shumë se vetë qytetari. Prandaj, pretendimet e avokatëve se “shteti po dëshiron t’ju kompensojë pronat” janë të pavërteta dhe të pabaza.

Kryetarja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2024, Komuna e Preshevës ka paguar rreth 70 milion dinarë për dëmshpërblime, ndërsa për vitin 2026 pritet një kosto shtesë prej mbi 50 milion dinarësh si rezultat i padive të njëpasnjëshme.