Rexhepi: Medvegja u mbush sot me ngjyrat dhe ritmet e trashëgimisë shqiptare
Medvegja e traditës që nuk dorëzohet – aktivitet kulturor me atmosferë festive në Qendrën e Kulturës
Medvegja u mbush sot me ngjyrat dhe ritmet e trashëgimisë shqiptare. Me këngë shqipe, veshje tradicionale medvegjase dhe krelanë e dra – simbole të identitetit të këtij vendi – u zhvillua një manifestim kulturor që dëshmoi fuqinë e traditës dhe shpirtit të patjetërsueshëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në sallën e Qendrës së Kulturës në Medvegjë jehuan valle, qifteli, këngë e melodi shqiptare, duke krijuar një atmosferë plot emocione e krenari.
Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe kryetari i tij, Enkel Rexhepi, u shprehën se ndihen më shumë se kurrë krenarë për trashëgiminë dhe identitetin kombëtar që shqiptarët e Medvegjës vazhdojnë ta ruajnë me devotshmëri.
Aktiviteti u organizua në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe me përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Një ditë që konfirmoi edhe një herë: Medvegja e traditës nuk dorëzohet!






