Trump Jr.: Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë Ishin Shpërqendrim nga Skandali Clinton-Lewinsky
Në një episod të fundit të “Podcast”-it të tij, i ndjekur nga mbi 280 mijë persona, Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, ka bërë deklarata të diskutueshme mbi ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999 dhe çështjen e Kosovës.
Trump Jr. deklaroi se bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, të cilat çuan në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, mund të shihen si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga skandali mes presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, dhe Monica Lewinsky. “Shumëkush, sidomos tani, në retrospektivë, e shohin këtë bombardim si një shpërqendrim nga ai dështim i Bill Clinton-it,” tha ai para fillimit të intervistës me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Gjatë episodit, Trump Jr. shfaqi një hartë të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova figuronte si pjesë e Serbisë, një veprim që ka ngjallur kritika dhe reagime të shumta, sidomos nga komuniteti shqiptar.
Në hyrje të intervistës, ai e përshkroi çështjen e Kosovës dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si një ndër temat kryesore të bisedës me Vuçiç. “Është një temë e ndërlikuar, e cila ka mbetur pa zgjidhje për një kohë të gjatë,” tha Trump Jr., duke theksuar rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje.
Intervista dhe komentet e Trump Jr. kanë nxitur debate dhe polemika në rrjetet sociale dhe media, me shumë përdorues që kanë kundërshtuar qëndrimet e tij mbi Kosovën dhe NATO-n.