Zv.kryeministri Bislimi u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për zgjedhjet në Serbi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi këtë fundjavë, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen të dielën më 17 dhjetor.
“Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”, shkroi Bislimi në Facebook.
Ai tha se e ka njoftuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për telashet e mundshme me të cilat mund të përballen votuesit shqiptarë në Serbi.
Dy lista të pakicës shqiptare marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të dielën.
Muajin e kaluar, Radio Evropa e Lirë raportoi për ankesat e shqiptarëve në jug të Serbisë, të cilëve thanë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare.
Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha në një raport se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët – gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme.
Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë – 21.2 për qind në periudhën 2015-2019.
Çaktivizimi i adresave, përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre ua mohon edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.
Më vonë, Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale e Serbisë, e mohoi se mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë prej listave të votuesve dhe që policia i ka pasivizuar adresat dhe i ka lënë banorët pa dokumente personale./REL/