Lajme

Intervista e zv.kryeministrit Bislimi për Danas: Beogradi na pengon të integrojmë serbët në Kosovë

Prishtinë, 9 shtator

Le të jemi konkret që në fillim të kësaj bisede. Si e vlerësoni situatën aktuale në veri të Kosovës në kohën kur “mentorët” e negociatave nga BE-ja dhe SHBA-ja janë ende me pushime?

Ne dëshirojmë që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë, por të paktën nuk ka tensione. Ne do të donim të jemi më afër qytetarëve tanë atje, por Beogradi i minon këto përpjekje dhe i pengon serbët e Kosovës të përdorin shërbimet dhe të gëzojnë të drejtat që u takojnë. Ka qenë dhe është ende synimi i Serbisë që ta portretizojë Kosovën si një shtet të dështuar dhe institucionet e saj si të paaftë, madje edhe të pavullnetshme për të integruar pakicën serbe, gjë që thjesht nuk është e vërtetë. Në këtë drejtim, Serbia nuk përmbahet të sakrifikojë serbët e Kosovës në përpjekje për ta vërtetuar këtë. Vakumi i sigurisë dhe institucional i krijuar më 5 nëntor supozohej t’i shërbente këtij objektivi. Ne jemi të vetëdijshëm që kryetarët aktualë nuk gëzojnë legjitimitet të plotë, por kemi bërë çdo përpjekje të mundshme duke përfshirë shtyrjen e afatit të zgjedhjeve dhe më vonë edhe të afatit për regjistrimin e partive për të siguruar që përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë të garonin për këto zyra. Vakumi institucional nuk i shërben askujt. E njëjta gjë me policinë, një qytetar që ka nevojë për mbrojtje duhet të jetë në gjendje të thërrasë policinë për ndihmë. Kosova është shtet multietnik, në këtë drejtim, synimi ynë është të sigurojmë që anëtarët e komunitetit të integrohen institucionalisht. Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e policëve serbë nuk ngjall besim të mjaftueshëm dhe po bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë, por kjo nuk mund të bëhet pa parandalimin e presionit dhe frikësimit të vazhdueshëm të Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës të cilët vendosin t’i bashkohen Policisë së Kosovës.

Ju jeni me profesion ekonomist. Ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë të pengosh tregtinë e mallrave. Ajo sjell dëm për njerëzit e zakonshëm. Sa do të zgjasë “embargoja” e mallrave nga Serbia, sepse nuk është treg i vogël?

Nuk ka barriera tregtare për mallrat e prodhuara në Serbi, por ka disa barriera që aplikohen për produktet kosovare që tentojnë të hyjnë në tregjet brenda territorit të Serbisë. Dhe këto barriera ekzistojnë për gati dy dekada. Vendimi aktual është vetëm çështje sigurie, duke pasur parasysh dëshmitë e kontrabandimit të armëve në Kosovë, duke përdorur linjat e rregullta dhe kamionët për transportin e mallrave. Një ndërhyrje e tillë në çështjet e brendshme të Kosovës në sektorin e sigurisë është shkelje e rëndë jo vetëm e Marrëveshjes Bazike më të fundit (sipas së cilës Serbia ka pranuar të vendosë marrëdhënie normale e të fqinjësisë së mirë me Kosovën), por edhe të marrëveshjeve të tjera. Ne duhet të sigurohemi që Serbia të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe metodat hibride të kryengritjes për të mos nxitur tensione në veri. Në këtë drejtim, kontrolli më i mirë i qarkullimit të mallrave është pjesë e masave të sigurisë që duhet të ndërmerren. Duke pasur parasysh hapjen e ekonomisë sonë dhe praninë e shumë vendeve alternative të origjinës për importe, kjo masë as nuk mund të sjellë dëm për qytetarët dhe as të çojë në mungesë mallrash. Situata në të gjitha komunat tjera në Kosovë është dëshmia më e mirë për këtë.

Qeveria e së cilës ju jeni zëvendëskryeministër, flet për “ndalimin e kontrabandës së mallrave dhe barnave”, që çoi në ekzistencën e serbëve në veri të Kosovës, të cilët janë në një lloj “kampi” si pengje të një dialogu të pasuksesshëm dhe përshkallëzimi i vazhdueshëm i dhunës.

Nëse i referoheni statistikave zyrtare për importin e mallrave për nevoja të qytetarëve të Kosovës në katër komunat veriore në dekadën e fundit, do të konstatoni se gati 90% e konsumit vjetor ka qenë rezultat i aktiviteteve të paligjshme të kontrabandës. Asnjë komunitet nuk duhet të mbështetet në kontrabandën për mallra thelbësore. Korniza ligjore e Kosovës lejon importin legal të të gjitha mallrave si dhe financave nga Serbia. Këmbëngulja për t’u mbështetur në instrumentet zyrtare dhe ligjore për tregtinë ndërshtetërore janë përbërësit bazë të një demokracie funksionale, sundimit të ligjit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, prandaj çdo përdorim i termave të tillë si “kamp”, “peng”, “Përshkallëzimi i dhunës” është e pavend dhe e keqpërdorur vetëm për të paraqitur një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit në terren. Pavarësisht asaj që Serbia synon të projektojë, qytetarët lëvizin lirshëm nga veriu në jug të Mitrovicës, ata madje bëjnë tregti me njëri-tjetrin dhe blejnë mallrat e njëri-tjetrit. Pra, si duhet ta shpjegojmë furnizimin e rregullt të çfarëdolloj malli dhe ilaçesh në një komunë dhe “kërcënimet për ekzistencën” vetëm disa qindra metra tutje në veri?

Do ta kuptoj përgjigjen tuaj, sepse në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd ka “reciprocitet” të masave të shëmtuara të ndëshkimit reciprok të qytetarëve. A ka shembuj të ngjashëm të sanksionimit të të drejtave të shqiptarëve në komunën e Bujanocit dhe Preshevës, përgjatë vijës administrative me Republikën e Kosovës?

Këtu ka një ndryshim të madh. Përderisa serbët e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore, ata janë të udhëzuar dhe frikësuar nga Serbia dhe institucionet e saj që të mos i përdorin ato. Në Luginën e Preshevës, shqiptarët janë të diskriminuar institucionalisht dhe gëzojnë shumë më pak të drejta se serbët e Kosovës në Kosovë. Një shembull i diskriminimit institucional ndaj komunitetit shqiptar në Serbi është pasivizimi i adresave, diçka e paimagjinueshme në Kosovë. Madje, ndërkohë që poflasim, Kosova në mënyrë të njëanshme po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave, ndërsa Serbia po zbaton çlicensimin e diplomave tashmë të njohura.

Kohët e fundit është bërë e qartë se Prishtina po mundohet që në këtë “ndeshje reciprociteti” t’i bëjë ballë Beogradit sa më shumë duke i përkrahur shqiptarët në “Luginën e Preshevës”. Cili është qëllimi i kësaj në situatën aktuale?

Dialogu i Brukselit nuk ka të bëjë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe me normalizimin e të dyja shoqërive përballë komuniteteve të tyre. Vëzhgoj me shumë shqetësim vullnetin e fortë të autoriteteve në Beograd për të diskriminuar vazhdimisht dhe në mënyrë agresive shqiptarët që jetojnë në Medvegjë, Preshevë, Bujanovc apo Novi Pazar. Sa më i ulët ky diskriminim, aq më e ulët do të ishte nevoja për të përdorur burimet e pakta të buxhetit tonë për t’i mbështetur ato. Natyrisht, do të preferoja që autoritetet shtetërore në Beograd të ndajnë para publike për aktivitete kulturore në komunat shqiptare atje, për aktivitete që ruajnë trashëgiminë e tyre, promovojnë gjuhën e tyre dhe të tjerat. Në vend të kësaj, ne vërejmë zero investime në arsim, diskriminim të rëndë në punësim, madje edhe pengesa për fëmijët që të përdorin tekstet shkollore në gjuhën e tyre amtare. Nga ky këndvështrim, fondi ynë i ndarë thjesht synon të mbulojë boshllëkun e krijuar nga autoritetet shtetërore të Serbisë. Trajtimi i përmirësuar i shqiptarëve në Serbi gjithashtu do të përmirësonte perceptimin për Serbinë në Kosovë në përgjithësi dhe do të dërgonte sinjale të vërteta të synimeve të Serbisë për pajtim.

Po tentohet që problemi i shqiptarëve në jug të Serbisë të përfshihet në agjendën e dialogut të Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo nuk u mbështet nga SHBA dhe BE. Pse?

Më lejoni t’ju kujtoj një paragraf nga preambula e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (27.02.2023):

“Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen.”

Ne do të insistojmë në mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Serbi me të njëjtën energji siç po e bën pala tjetër për komunitetin serb në Kosovë dhe besoj se do të ishte paradoks të sillemi ndryshe. Kjo temë është e pashmangshme, nëse të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë synim arritjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Në lidhje me sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj Qeverisë në Prishtinë, në çfarë drejtimi mund të presim vazhdimin e dialogut dhe nëse kemi ndonjë dialog, i cili do të mund të zgjidhte shumë probleme që padyshim janë “të pëlqyeshme” për mbijetesën politike të Kryeministrit të Kosovës, por edhe tëpresidentit serb?

Dialogu është shumëplanësh, por sipas mendimit tonë ai duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj. Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij. Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë. Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator. Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi.

Realiteti do të ishte kthimi i pjesëtarëve të serbëve nga veriu në Policinë e Kosovës. Është qeveria e Prishtinës ajo që duhet të ndërmarrë një hap që do të eliminonte tensionin në fushën e respektimit të “të drejtave të pakicave” në këtë sektor të sigurisë. Cili është problemi?

Policët serbë të Kosovës u larguan nga forcat policore, ky ishte fillimi i problemit, e për më tepër, është manifestimi kryesor i burimit të përshkallëzimeve të sigurisë në veri të Kosovës. Çështja me targat e automjeteve u mor si justifikim nga Serbia për të vënë në lëvizje diçka shumë më serioze, për të cilën ne e dimë se ka qenë duke u planifikuar që një kohë shumë të gjatë. Unë pajtohem që serbët e Kosovës duhet të jenë pjesë e policisë dhe pikërisht për këtë arsye, ne kemi hapur disa thirrje për të siguruar që të kemi rekrutuar sa më shumë serbë të Kosovës që mund t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Është fakt i pamohueshëm se do të ishin rekrutuar më shumë prej tyre, po t’i kishte lejuar Serbia të aplikonin. Fatkeqësisht, policët e rinj janë kërcënuar me qëllim dhënien e dorëheqjes në takimet e organizuara nga BIA në Rashkë. Prandaj, ndërhyrja më e ulët nga Serbia në mënyrë të pashmangshme do të prodhojë më shumë stabilitet dhe më shumë siguri në katër komunat veriore dhe kështu do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit.

Kur e prisni shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale për katër komunat në veri të Kosovës?

Ne kemi zhvilluar procedura dhe Ministria e Administrimit tëPushtetit Lokal së shpejti do të shpallë zyrtarisht aktin nënligjor përkatës. Kjo do t’u japë qytetarëve instrumentin për të ndryshuar peizazhin politik dhe për të treguar se ka vullnet publik për t’u përfshirë në procesin e ri zgjedhor.

A prisni që serbët, pa një dialog të sinqertë me autoritetet në Prishtinë, të heqin dorë nga ajo “çfarë u tha Beogradi” në zgjedhjet e reja lokale? A jeni gati të bisedoni me ta, pra në këtë moment me “Listën Serbe”?

Kosova dhe Serbia nuk duhet t’i bëjnë presion serbëve të Kosovës që të zgjedhin. Ne angazhohemi në dialogun lokal me serbët e Kosovës dhe deri më tani kam marrë pjesë në nëntë takime. Kryeministri Kurti është takuar me ta në disa raste dhe këtë po e bën rregullisht zëvendëskryeministrja jonë Emilja Rexhepi. Gjithashtu, ministrat e linjës po organizojnë takime paralele me fokus në sektorë të ndryshëm. Ne kemi provuar në formate të ndryshme, disa prej tyre kanë qenë mjaft të dobishme. Uroj që Beogradi të mbështesë serbët e Kosovës që të marrin nga Kosova atë që u takon, pa i kërcënuar se do t’i përjashtojë nga flukset financiare nga Beogradi apo edhe t’i frikësojë ata në forma të tjera, sa herë që angazhohen në diskutime me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës.

Është e qartë se ka një lidhje mes serbëve dhe shqiptarëve në aspektin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si e shihni se kjo mund të parandalohet nëse nuk ka koordinim ndërmjet policisë dhe strukturave të sigurisë të të dyja palëve?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Policia dhe strukturat tona të sigurisë në këtë drejtim, pa asnjë dyshim janë të gatshme të angazhohen me homologët e tyre serbë, në përballimin e kësaj sfide. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë shenjë të vetme nga ana e Beogradit zyrtar për t’u angazhuar në këtë bashkëpunim. Krejt e kundërta. Ne e dimë se situata e sigurisë në veri, e imponuar nga strukturat ilegale të Serbisë, po nxit edhe të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale dhe korrupsionit që drejtohen nga këto struktura.

Ndalimi i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë e dëmton edhe Prishtinën. Rezervat e mëdha të qymyrit që Kosova do të shiste në zonën përreth duhet të kalojnë përmes Serbisë. A keni ndonjë kalkulim se sa dëm i kanë shkaktuar këto masa Prishtinës dhe ekonomisë së Kosovës?

Të gjitha masat janë të dëmshme, por në Serbi vërehen vetëm tani. Ndërmarrësit kosovarë janë përballur për dy dekada me të gjitha barrierat e mundshme kur përpiqen të depërtojnë në tregun serb apo edhe të përdorin infrastrukturën e saj rrugore si transit, por vetëm pak ia kanë kushtuar vëmendjen. Nuk ka rrugë më të mirë për normalitet në marrëdhëniet tona, duke përfshirë tregtinë, sesa të zbatohet në plotni dhe pa kushtëzimeMarrëveshja Bazike e cila parashikon njohjen e plotë të të gjitha dokumenteve dhe simboleve që do ta bëjnë më të lehtë kryerjen e tregtisë.

Qeveria në Prishtinë, të cilën Beogradi nuk e njeh, ka pasur disa takime me atë të Tiranës, por qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, sikur nuk është plotësisht dakord me atë që pret Prishtina prej tij? Cili është problemi?

Përveç Serbisë, marrëdhëniet tona me të gjitha vendet fqinje, veçanërisht me Shqipërinë, janë të shkëlqyera. Sfida e vetme e politikës së jashtme është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo sfidë prek të gjithë fqinjët tanë që mezi presin për ta parë këtë kapitull të mbyllur në mënyrë që i gjithë rajoni të mund të ecë përpara. Beogradi duhet të pranojë se Kosova është fqinji i tij dhe duhet të bëjë më të mirën prej kësaj. Ne jemi të gatshëm të ecim drejt rrugës së normalizimit të plotë të marrëdhënieve tona.

Prishtina e injoron projektin “Ballkani i Hapur”, pra a është “procesi i Mynihut” ai që synon qeveria juaj apo ka diçka tjetër?

Kosova mbështet të gjitha iniciativat integruese rajonale që rrjedhin apo mbështesin procesin integrues të vendit tonë dhe rajonit në BE. Procesi i Berlinit ofron platformën më të mirë për këtë, Ballkani i Hapur ishte një zëvendësues dhe jo plotësues. Disa prej nesh e kuptuan këtë që në fillim, për disa të tjerë u desh pak më shumë kohë.

Çfarë prisni nga dialogu i ri i vjeshtës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe a do të ndodhë realisht ai pas mosrespektimit të “Marrëveshjes së Ohrit” dhe çfarë po ju përgatisin SHBA-ja dhe BE-ja?

Serbia është pajtuar me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa kemi tani. Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotni. Kosova ka qenë e gatshme që në fillim dhe është ende, për të bërë pjesën e saj. Ne jemi të gatshëm të rishikojmë dhe përmirësojmë më tej strukturën institucionale për serbët e Kosovës brenda kornizës kushtetuese, por duhet të jetë e qartë se kjo është pjesë e juridiksionit të Kosovës, të cilën Serbia e njeh, e respekton dhe nuk kërkon ta minojë.

Çfarë mund të presin serbët në veri të Kosovës, por edhe ata në jug të Ibrit? Pa institucionalizimin e tyre, a është e vështirë të pritet një ulje e tensioneve dhe rreziku i rasteve të reja të dhunës?

Shumica e serbëve të Kosovës jetojnë në jug duke e bërë jetën e tyre të përditshme në mënyrë paqësore me shqiptarët dhe komunitetet tjera. Është e qartë se Beogradi inkurajon tensione vetëm brenda territorit të cilin e konsideron si të “pushtuar”, veriut, dhe jo pjesës tjetër. Si e tillë, strategjia e saj mund të kuptohet vetëm brenda kornizës së diskutimeve të mëparshme të rrezikshme për ndarjen. Është e qartë se nuk bëhet fjalë për mungesë të të drejtave, por për ambicie secesioniste. Qëndrimi i Serbisë është i paqëndrueshëm, në njërën anë propaganda vazhdon të shpërndajë histori se si serbët janë nën terror, pastaj presidenti juaj thotë se më pak serbë e lanë Kosovën sesa lanë fshatrat në Serbi. Qytetarët tanë në veri duhet të presin gatishmërinë dhe interesimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për integrim kuptimplotë, shfrytëzim të plotë të instrumenteve fiskale në dispozicion për rritje ekonomike, përmirësime në arsim dhe shëndetësi, punësim proporcional në sektorin publik dhe privat. I njëjti me atë të të gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në Kosovë, shfrytëzojnë shërbime publike dhe paguajnë për to, respektojnë legjislacionin, duke përfshirë edhe monedhën zyrtare në qarkullim.

Cili do të jetë qëndrimi i Prishtinës ndaj shqiptarëve etnikë, prej të cilëve sipas regjistrimit të fundit në Serbi janë rreth 61.000?

Duhet të kemi parasysh faktin se shqiptarët në Serbi, të cilët kryesisht jetojnë në Luginën e Preshevës, janë historikisht të lidhur me Kosovën. Pra, siç e theksova edhe më herët, është obligim që të ballafaqohemi me problemet që po rriten çdo vit në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

Policia e Kosovës arreston serbët me dyshimin se kanë kryer krime lufte. Ata ndodhen në paraburgim. Forcat e sigurisë së Serbisë liruan tre policë shqiptarë, të cilët paraprakisht dyshoheshin për “hyrje terroriste” në territorin e Serbisë. Si të mposhtet ekstremizmi i ndërsjellë në të cilin gjyqësori është shpesh vetëm një “mbulesë” për rritjen e tensioneve?

Arrestimi i kriminelëve të luftës nuk renditet si aktivitet në listën e ekstremizmit, ndërsa dërgimi i trupave ushtarake në një vend fqinj dhe rrëmbimi i anëtarëve të forcave të tyre të sigurisëështë. Nuk mund të bëjmë asnjë paralele mes këtyre dy rasteve. Ne e dimë mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës, në 1998, 1999, e cila ishte brutale dhe e keqe, me mbi 11.000 civilë shqiptarë të vrarë. Vënia e drejtësisë për këto krime lufte dhe krime kundër njerëzimit është obligim i sistemit tonë të drejtësisë.

Çfarë dini ju si zëvendëskryeministër i Qeverisë në Prishtinë për rrjedhën e hetimeve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. A ka ndonjë “logjistikë shqiptare”?

Më kujtohet mirë që kur u vra Oliver Ivanoviç (janar 2018), askush në Kosovë, duke përfshirë edhe banorët lokalë serbë në veri të Kosovës, nuk po drejtonin gishtin ndaj shqiptarëve si autorë të mundshëm. Ivanoviç u demonizua nga SNS e presidentit serb Vuçiç, si dhe nga shumë media serbe, si ‘tradhtar’ dhe kjo zgjati me muaj para aktit të vrasjes. Sistemiynë i drejtësisë është duke punuar në këtë rast dhe jemi të sigurt se shpejt do të vijnë me rezultatet përfundimtare për këtë rast. Së fundmi, Serbia i kërkoi falje Gjermanisë për përhapjen e thashethemeve të rreme për një autor të dyshuar kosovar.

Më thoni, publiku sigurisht është i interesuar për këtë, si duket dialogu në atë dhomë të Brukselit ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, kur kamerat janë të fikur? Kush thotë çfarë, kush kë fyen, si reagojnë përfaqësuesit e BE-së, çfarë hani dhe me çfarë freskoheni?

Të gjitha negociatat janë natyrshëm të vështira, por dialogu është mënyra e vetme se si mund t’i adresojmë çështjet me njëri-tjetrin. Për ne, në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme t’i japim prioritet të drejtave të të gjithë qytetarëve në demokracinë tonë multietnike dhe asnjëherë t’i instrumentalizojmë apo sakrifikojmë ato për rezultate politike. Ne synojmë një marrëveshje përfundimtare dhe nuk ka dyshim se çdo marrëveshje në fund do të konfirmojë se Kosova dhe Serbia janë vende të pavarura dhe se duhet të vendosin marrëdhënie normale dhe të mira. Kjo është e vetmja rrugë përpara dhe është në përputhje me aspiratat e të dyja vendeve për t’u anëtarësuar në BE. Detajet e tjera janë të një rëndësie dytësore.

Kush fiton dhe kush humbet, në lidhje me Kosovën, kjo është një pyetje e përjetshme për të cilën ju keni të drejtë të përgjigjeni?

Zgjidhja e konfliktit dhe dialogu nuk ka të bëjë me fitimin e njërës palë dhe humbjen e palës tjetër. Ne të gjithë do të përfitojmë nga një normalizim i plotë, duke përfshirë rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Ne të gjithë humbasim nga mbajtja e armiqësive. Gatishmëria për t’u marrë me të kaluarën është një parakusht i domosdoshëm për çdo paqe dhe progres afatgjatë.