FutbollSporti

Taulant Xhaka mund ta përfundojë karrierën te skuadra e njohur për besimin ndaj shqiptarëve

Besnikëria e Taulant Xhakës për Baselin asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë është prej lojtarëve të paktë që është pjesë e ekipit zviceran për kohë shumë të gjatë, mbi një dekadë.

Xhaka gjithmonë ka deklaruar se ndihet krenar që është pjesë e njërit prej klubeve më të suksesshme zvicerane. Xhaka ndoshta e pati të vështirë ta përshkruajë me fjalë krenarinë kur bart fanellën e Baselit, por besnikërinë e tij nuk hezitoi ta dëshmojë edhe një herë.

Klubi zviceran të premten bëri të ditur se Xhaka ka rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2024, por ka opsionin për ta vazhduar bashkëpunimin edhe për një vit tjetër. Pas firmosjes së kontratës, Xhaka ka pranuar se skuadra e Baselit do të thotë gjithçka për të, kurse në klub ndihen të lumtur dhe krenarë që një lojtar kaq besnik ishte në gjendje të vazhdonte qëndrimin.

Te Baseli e vlerësojnë Xhakën si njërën prej shtyllave të ekipit. Ai me fanellën e Baselit ka fituar hiç më pak se tetë trofe, prej tyre gjashtë tituj të kampionit të Zvicrës. Madje, ka fituar trofe edhe me ekipin U-18. Xhaka konsiderohet si fëmijë i këtij klubi, të cilit iu bashkua te gjeneratat e reja në vitin 2002 përpara se të debutonte me ekipin e parë në edicionin 2010/11. Xhaka ka gati 300 ndeshje të luajtura me Baselin në të gjitha garat dhe bazuar në rinovimin e kontratës nuk përjashtohet mundësia që ai të tërhiqet nga futbolli aktiv me fanellën e këtij ekipi.

“Taulanti është një nga shtyllat e ekipit tonë dhe një pjesë e rëndësishme e klubit. Ne jemi të lumtur dhe krenarë, që një lojtar kaq besnik ishte në gjendje të vazhdonte besnikërinë e tij ndaj klubit”, ka pranuar presidenti i Baselit, Bernhard Burgener.

Nuk ishte vetëm presidenti i Baselit i lumtur me rinovimin e Xhakës por edhe vet futbollisti, që nuk mund ta përshkruante me fjalë lidhjen me klubin.

“Është e vështirë të thuash me fjalë se sa ka vlerë për mua ky klub dhe ky qytet me tifozët tanë të shkëlqyeshëm. Unë jam shumë krenar që mund të bart fanellën me ngjyrat e Baselit. Synimet tona për vitet e ardhshme janë ambicioze dhe unë dua të bëj pjesën time për t’u siguruar që t’i realizojmë ato së bashku”, ishin fjalët e Xhakës pas firmosjes së kontratës.

Mediumet zvicerane e kanë quajtur Xhakën si motor të Baselit duke vënë në pah edhe besnikërinë e tij që e ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe.

“Xhaka e ka bartur fanellën e Baselit që nga mosha 12-vjeçare dhe tani ka rinovuar kontratën deri në vitin 2024 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai është i vendosur për të mbetur i Baselit, ekip të cilin e ka ndërruar vetëm për një periudhë të shkurtër kur për një vit e gjysmë u huazua te Grasshoppersi për të marrë përvojë”, ka shkruar “Telebasel.ch”.

Në fakt, që nga debutimi i tij me ekipin e parë të Baselit, Xhaka nuk ka qenë pjesë e ekipit vetëm për një sezon e gjysmë kur u huazua te skuadra e Grasshoppersit për minutazhë më të madhe dhe për të fituar përvojë. Ai te Grasshoppersi u huazua në janar të vitit 2012 dhe qysh gjatë atij edicioni (2011/12) e stabilizoi veten si titullar. Xhaka qëndroi te Grasshoppersi edhe në edicionin 2012/13 dhe duke parë zhvillimin e tij, Baseli vendosi ta kthejë mesfushorin shqiptar në ekip që tashmë gradualisht është shndërruar në ikonë të klubit.

Në të vërtetë, Xhaka e ka ndërruar përfaqësuesen, por jo edhe ekipin. Ai prej vitit 2008 është përfshirë rregullisht në të gjitha gjeneratat e reja te Zvicra – U17, U18, U19, U20, U21 – kurse prej vitit 2014 ka vendosur ta përfaqësojë Shqipërinë.

Xhaka 29-vjeçar, deri më tash ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka shënuar një gol me Kombëtaren e Shqipërisë. Për dallim prej Taulantit, vëllai i tij i vogël, Graniti luan për Zvicrën ku edhe e bart shiritin e kapitenit. Taulanti së bashku me Granitin janë zhvilluar si futbollistë te Baseli dhe për një periudhë të shkurtër kanë luajtur që të dy me ekipin e parë të Baselit. Përderisa Taulanti ka vendosur t’i mbetet besnik Baselit, Graniti në vitin 2012 është larguar nga ekipi zviceran për të vazhduar karrierën te Borussia Moenchengladbachu, kurse prej vitit 2016 është pjesë e Arsenalit. Në edicionin e ri, Taulant Xhaka te Baseli do të jetë vetëm njëri prej shtatë futbollistëve shqiptarë pasi pjesë e këtij ekipi janë edhe Kemal Ademi, Tician Tushi, Orges Bunjaku, Albian Hajdari, Elis Isufi dhe Jozef Pukaj.