Opinione

Ish-amabasadori amerikan në Serbi: Mund të ketë shkëmbim territoresh

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, William Montgomery ka vlerësuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk duhet ta humbasë shansin për ta arritur një marrëveshje në Washington në favor të Serbisë, duke theksuar se koha po mbaron.

Ai e arsyeton këtë duke shtuar se, siç thotë, ka shanse të mëdha që presidenti aktual i SHBA-së Donald Trump nuk do ta marrë një mandat tjetër dhe pasardhësi i tij, Joe Biden është në favor të Kosovës dhe shqiptarëve.

Përpara takimit të 4 shtatorit midis zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit në Washington, Montgomery vlerëson se momenti tani është që të arrihet një zgjidhje midis vendeve, për të cilën thotë se do të përfshinte shkëmbimin e territoreve.

“Vuçiq duhet ta kuptojë se ka shanse të mëdha që Trump t’i humbasë zgjedhjet dhe Biden është fuqimisht në favor të Kosovës brenda kufijve ekzistues. Pra, ai duhet të veprojë tani ose të humbasë – mbase përgjithmonë – mundësinë për ta zgjidhur atë çështje”, tha Montgomery.

Ajo që presidenti Trump dëshiron, thotë Montgomery, është momenti i shtrëngimit të duarve para kamerave kur liderët kosovarë dhe ata serbë njoftojnë arritjen e një marrëveshjeje.

“Do të përfshinte një shkëmbim territoresh. Dhe fakti kryesor është se Trump atëherë mund të njoftojë se, duke pasur parasysh që të dy udhëheqësit arritën një marrëveshje, ajo do të zbatohej menjëherë”, thotë Montgomery, raporton Tanjug.

Ish-ambasadori thotë se kur bëhet fjalë për problemin e Kosovës me Serbinë, gjëja e parë që duhet të mbahet në mend është që edhe BE dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i marrin meritat për arritjen e një marrëveshjeje dhe nuk duan t’i ndajnë ato me palën tjetër.

Sipas tij, avantazhet e asaj marrëveshje do të ishin se ajo do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit madhor Kosovë-Serbi dhe për Trumpin një pikë e madhe në politikën e jashtme pak para zgjedhjeve të nëntorit.

“Shpejtësia do të jetë thelbësore për gjithë këtë tani. Sapo të ndryshohet territori, do të jetë e vështirë të ktheheni”, tha Montgomery duke kujtuar njoftimin e Trumpit për marrëveshjen e paqes në Izrael.

Trump njoftoi, siç kujton ish-ambasadori, një marrëveshje të njëanshme dhe e autorizoi Netanyahun që ta zbatojë menjëherë.

“Ky do të ishte një model edhe në këtë rast. Arsyeja e vetme për paraqitjen e Trump është marrëveshja e arritur. Ai nuk interesohet për rajonin”, tha Montgomery, por shtoi se tani Grenell dhe kolegët e tij duhet të marrin në konsideratë nëse vërtet mund të arrijnë një marrëveshje.

“Nëse Trump shfaqet, ai është atje për ta shtyrë, shumë, shumë, fort, atë marrëveshje”, thotë ai.

Pala e Kosovës dhe ajo serbe do të takohen në fillim të shtatorit në Washington. Takimi i paraparë të mbahej më 2 shtator, zyrtarisht është zhvendosur për datën 4.