Magazina

EKSKLUZIVE| DER SPIEGEL: Dëshmohet përfshirja e UDB-së në atentatin mbi Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën 1982

Nga MUHARREM BLAKAJ

Çfarë rëndësie kanë aktivitetet e shqiptarëve në ekzil për Beogradin nuk e dëshmon vetëm masakra në Hailbron. I ngjashëm ishte edhe një aksion i madh i shërbimit sekret serb në fillim të vitit, kur bashkëkombësi, Rasim Zenelaj u mor në shënjestër. Zenelaj ka qenë një anëtar udhëheqës i „Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare.“ Të shtënat nga pistoleta në kundërshtarin e qeverisë Zenelaj, i cili e mbijetoi edhe pse i lënduar rëndë i shpëtoi atentatit, u dëshmua për herë të parë drejtimi i ri i shërbimit sekret jugosllav.

Për ta mënjanuar Zenelajn Beogradi kishte kurdisur plane të kushtueshme. Kishte nisur disa agjentë, madje kanë rrezikuar edhe dikë nga zyrtarët e konsullatës dhe kanë eksponuar ndihmësit e heshtur. Megjithatë plani dështoi dhe pjesëmarrësit u zbuluan: Në procesin e nisur atë kohë kundër përgjegjësve të atentatit qartësohet edhe më shumë implikimi i zyrtarëve jugosllavë në ndjekjen e emigrantëve me metoda drastike. Kah fundi i 70-tave ishte ngritur një agjent i mëhershëm në gradë të konsullit. Me emrin Salih Salihi ai u shfaq më vonë me shërbim diplomatik për vendin e tij në Republikën Federale Gjermane, së pari në konsullatën e përgjithshme në Hamburg dhe pastaj në konsullatën e përgjithshme në Frankfurt. Atje u vendos i pajisur me një dokument identifikimi si zyrtar me nr. 6750 në cilësinë e rojës. Në Frankfurt vepronte edhe një kolegë tjetër i shërbimit sekret, si zyrtar i lartë i konsullatës me dokument identifikimi nr. 6322, i firmuar me emrin Svetozar Mirjaqiç, i quajtur „Tozo.“ Një besnik me rang të lartë i këtyre dy shërbyesve ishte Rade Surla, një partizan i hershëm, që kohët e fundit punonte në një ndërmarrje ndërtimi në Frankfurt.

Surla i vizitonte shokët e konsullatës dhe i informonte ata për veprimtaritë e njerëzve në ekzil. Njëherë, siç i kujtohet shoferit të tij, e vizitoi dikush vetë Surlën. Mysafiri kërcënues (Surla shoferit: „Duhet t’ ruhemi këtij njeriu“) ishte gjenerali i shërbimit sekret Milan Shashiç. Në mars të vitit 1981, menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, filloi të veprojë treshi në Frankfurt.

Salihi gjurmonte shprehitë e jetës së Zenelaj dhe i dërgonte Tozos informacione. Edhe Surla filloi të veprojë dhe u përfundua plani konkret i vrasjes. Disa gjurmë dhe dëshmitarë dokumentojnë se me sa përkushtim kanë vepruar agjentët. Agjenti i parë të cilin e caktuan për Zenelajn ishte një kroat në ekzil, por ai demaskoj urdhërdhënësit nëpërmes deklaratave të tij në procesin gjyqësor. As agjenti i dytë nuk

e mbajti fshehtësinë. Ante Kujundzic ishte rekrutuar nga Tozo si vrasës, kur iu hap shokëve të tij kroatë në ekzil. Së shpejti policia gjermane i dinte hollësitë e përgatitjeve për atentat. Organet gjermane nuk kishin vepruar në mënyrë të kujdesshme. Kroatit Ante Kujundzic i kishte folur një bashkëkombës i panjohur në prill të vitit 1981, në stacionin e trenit në Frankfurt. I kishte thënë me e thirr një „person me rëndësi“ dhe t’i paraqitet me emrin „Studenti i muzikës.“

Pastaj i kishte dhënë një numër telefoni – 21 77 01 – dhe e kishte udhëzuar që kur të thërriste secilën shifër ta mblidhte me numrin dy. Në lidhjen telefonike 43 99 23 ishte lajmëruar konsullata e përgjithshme jugosllave. Kështu ishte vendosur kontakti me Tozo-n. Kujundzic-in e kishin urdhëruar për ta gjurmuar shqiptarin Zenelaj. Si shpërblim atij Tozo i ofronte para, dokumente të reja dhe përkrahje për ta fituar azilin politik në Republikën Federale Gjermane. Në një takim tjetër Tozo ia dha një pasaportë, për çdo rast, nëse duhej ta lëshonte vendin shpejt. Kujundzic: „E pata të qartë se me siguri duhej ta vrisja dikë.“ Agjenti hoqi dorë nga ky plan dhe i informoi autoritetet gjermane.

Si rrjedhim, policia e mori në mbrojtje të rrezikuarin Zenelaj. Për t`ua treguar komplotistëve këtë, policët gjermanë e dërguan Zenelajn në mënyrë demonstrative për shetitje para konsullatës jugosllave. Një herë tjetër duke shëtitur në një kopsht zoologjik, Zenelajn me përcjellësit e tij e vëzhgonin agjentët jugosllavë dhe kështu ata u vërejtën edhe njëherë nga gjermanët. Zenelaj ra në rrezik me mendjelehtësinë e vet: Ai kishte treguar në rrethin shoqëror se ishte i mbrojtur dyfish, d.m.th. edhe me një jelek kundër-plumb. Njëri që e kishte dëgjuar këtë ishte nën shërbimin e Surla-s. Kështu jugosllavët e planifikuan një plan, që kundërshtarin e tyre ta manovronin në një situatë, që ai të detyrohet ta zhveshë jelekun e tij kundër-plumb. Një grua duhej ta kryente këtë punë dhe pastaj ta godiste me pistoletë.

Si ndihmëse u gjet shpejt biondina serbe Zorica Aleksic. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë në afërsi të Darmstadt-it. Nëpërmjet kërcënimeve si dhe nëpërmjet premtimit se do t`ia japin 2000 DM e bindën atë. Ishte aranzhuar një takim me gruan dhe viktimën e saj. Rasim Zenelaj e kishte marrë agjenten në apartamentin e tij. Kur doli gruaja me pistoletë nga banja, Zenelaj e kishte zhveshur jelekun kundër-plumb. Prej pesë goditjeve në afërsi të zemrës, Zenelaj falimentoi. Autorja kishte ikur dhe në hyrjen e shtëpisë e kishin pritur Surla me shoferin e tij. Zorica Aleksic ua kishte kthyer armën dhe i kishte marrë paratë bashkë me një tiketë për Beograd. Me një Volvo ishin nisur menjëherë për në aeroportin e Frankfurit. Mirëpo serbja nuk mundi ta lëshonte vendin. Fqinjët, e alarmuar nga krismat, i kishin lajmëruar policinë menjëherë. Rastësisht e kishin dëgjuar këtë lajm në radiolidhje edhe policët të cilët ishin të ngarkuar me mbrojtjen e Zenelajt. Një gjurmim i shpejtë në rrethin shoqëror të viktimës i çoi policët te Zorica, e cila pak më vonë u arrestua në aeroport. Zyrtarët e konsullatës Tozo dhe Salihi janë urdhëruar të kthehen në Jugosllavi.

Surla mundi të ikte që në ditën e atentatit. Surla u lajmërua me anë të telefonit duke i thënë dikujt: „në rregull.“ Pastaj shoferi, i cili ishte dëshmitar i kësaj telefonate, e kishte dërguar me ngut përtej kufirit, në Strasburg në hotelin Holiday Inn. Aty humbën gjurmët e tij. Dështimi, si duket, nuk e ka dëshpëruar UDB-në. Këtë e vërteton 10 tetori 1981në Bruksel: Atje ishte vrarë një shqiptar me emrin Vehbi Ibrahimi në rrugë para banesës së tij, me një pistoletë të kalibrit 7.65. Gruaja e tij e cila ishte me të ishte lënduar rëndë nga goditjet. Ibrahimi ka qenë nënkryetar i „Besëlidhjes shqiptare.“ Organet shtetërore gjermane tash, pas atentateve në Zenelajn dhe Ibrahimin duhej ta mbronin kryetarin, Emin Fazlija. Ai banonte afër Goepingenit dhe ka qenë i njohur nga fqinjët si „një burrë i vjetër dhe i respektuar.“ Policët kompetentë ishin të brengosur së „mos do ta vrasin edhe atë.“

Që prej asaj kohe, Fazlia është nën mbrojtje dhe nuk lajmërohet më në lidhjen telefonike të mëparshme. Policët nuk gjejnë gati fare përkrahje politike në luftën kundër kësaj lufte ilegale. Në të vërtetë ekziston një marrëveshje në mes të Bonit dhe Beogradit për të përkrahur njëri-tjetrin në rast atentatesh. Herë pas herë ndërrohen informata për ardhjen e lëndëve shpërthyese ose të ndonjë arme.

Mirëpo sa pak rëndësi ka kooperimi në mes dy shteteve për palën serbe e vërtetojnë atentatet. Zyra federale kundër krimit ka regjistruar se kur janë bërë atentate kundër kroatëve në ekzil, në shumicën e rasteve UDB-ja ka përdorur pistoleta të cilat gjuajnë me rrotullim djathtas, edhe pse shumica e pistoletave të këtij lloji gjuajnë me rrotullim majtas. Organizatorët e atentateve as që e kanë pa të arsyeshme ta maskojnë këtë dallim. Kur ranë në rrjetin e policisë jugosllave katër anëtar të RAF-it gjerman, jugosllavët prezantuan një listë me kroatë që lypeshin urgjentisht për t`i ndërruar ata. Zyrtarët

gjermanë e refuzuan këtë dhe Beogradi i lëshoi anëtarët e RAF-it. Nëse mund të flitet për bashkëpunim në mes të policisë gjermane dhe asaj jugosllave, ana gjermane ankohet.

Në vend që të përcillen shkaktarët, jugosllavët japin vetëm këshilla në kërkesën e motiveve: „grindje për çështje nderi, grindje për femra, hakmarrje përreth stacionit të trenit ose tregti armësh“ janë konfliktet e vërteta. Politikanët jugosllavë e mohojnë kategorikisht implikimin e policisë sekrete jugosllave në këto raste. Lidhje me këtë ka bisedime të rregullta në mes të ministrisë së brendshme gjermane dhe kolegëve beogradas. Ministri i punëve të brendshme Franjo Herljevic, një gjeneral i vjetër partizan dhe bashkudhëtar i Titos, i demanton gjithmonë dhe deklaron se policia sekrete jugosllave nuk është duke vepruar në Republikën Federale Gjermane.

Kur kishte pyetur deputeti i CSU-së Fritc Vitman në vjeshtë të vitit 1981, se cilat janë reagimet e Bonit lidhur me sjelljet e Beogradit, e mori një përgjigje të shmangshme. Boni deklarohet lidhur me këto raste, thoshte ministrja Hildegard Ham-Bryher, vetëm atje ku është e arsyeshme dhe e dobishme. Krahas proceseve gjyqësore ka aty-këtu edhe vetë dëshmi për veprime të UDB-së. Në ambasadën jugosllave ka qenë një diplomat bashkëbisedues i policisë gjermane, Tomo Renac, i cili pyetjet vetëm i përcillte për Beograd dhe kurrë nuk përgjigjej.

Në shumicën e rasteve vetëm i rrudhte krahët. Arsyen për këtë stil të mbajtur gjermanët e nuhatën, kur ra në duar të tyre një letër që Renac e kishte dërguar në Beograd. Aty Renac, si një agjent i ofenduar ankohej se: „Po mundohen me masa propagandistike dhe penale për t’i bërë të pamundura aktivitetet e sigurimit të shtetit jugosllav në RF të Gjermanisë. Në një pritje shefi i policisë së Bonit ka tërhequr vëmendjen se kishte fakte së diplomacia jugosllave është tepër aktive në RFGJ. Kjo na detyron të arrijmë në përfundim se puna në RF të Gjermanisë është bërë shumë e komplikuar.“ Hetuesit gjermanë nuk prisnin shpërblim nga shërbimet jugosllave. Kur para pak kohe një prokuror i Frankfurtit paralajmëroi se në rastin e shqiptarit Zenelaj së shpejti do të fillojë me marrë „hetime në Jugosllavi,“ nuk deshi askush t’i jepte zemër. Një mbrojtës i shtetit në Bon tha: „Lidhur me këtë ne vetëm kemi qeshur.“