Thomas Cook, falimentimi brutal i një gjiganti historik
Agjencia britanike më e vjetër në botë (gati dy shekuj) për udhëtime turistike, Thomas Cook, sapo falimentoi duke lënë 600 mijë turistë të saj të shpërndarë nëpër botë.
Thomas Cook kishte deri dje 22 mijë punëtorë, mbi 100 avionë, mijëra agjenci në botë dhe mijëra hotele partnere.
Falimentimi i saj pritet të ketë pasoja direkte dhe indirekte në dhjetra mijëra persona dhe biznese.
Sipas specialistëve të fushës, të cituar nga media franceze, njëra nga arsyet e këtij falimentimi është rënja e vlerës së devizes britanike si pasojë e Brexitit. Borxhi i kompanisë kishte kap vlerën e 2 miliardë dollarëve duke e kaluar vijën e kuqe të “rikthimit”.
Arsye tjera janë edhe konkurrenca e internetit dhe mënyrat e reja të rezervimit dhe udhëtimit.
Tash, rikthimi i 600 mijë turistëve në shtëpi po llogaritet si operacioni më i madh i rikthimit që nga Lufta e Dytë botërore. Ky operacion do t’i kushtojë mbi 600 milionë euro Boris Johnsonit i cili daljen nga BE-ja e kishte dhe vazhdon ta ketë si argument për mbijetesë politike.
Kompani tjera britanike pritet të falimentojnë muajt dhe vitet që vijnë, sidomos nëse ata dalin nga BE-ja pa marrëveshje.