Vulin: Nëse BE-ja s’e do Serbinë, ka kush ta dojë
Ministri serb i Mbrojtjes , Aleksandar Vulin, ka deklaruar sot se Serbia ka orientim strategjik drejt Bashkimit Evropian, por nëse Evropa nuk e dëshiron Serbinë, ka edhe aleanca të tjera që e dëshirojnë atë.
“Nëse ne nuk na do Evropa, ka kush të na dojë. Ne nuk jemi të gjykuar të mbesim vetëm në Evropë. Ne dëshirojmë t’i takojmë asaj, ky është orientimi ynë strategjik, duam t’i përkasim vlerave evropiane dhe duam të bashkëpunojmë, por jo me çmimin se ne duhet të lusim për të hyrë në Evropën e cila nuk na do. Siç e shihni, ka edhe aleanca, kombe dhe popuj të tjerë që duan të bashkëpunojnë me ne në baza të barabarta”, ka thënë Vulin për televizionin Pink pa ia përmendur emrin Rusisë dhe aleancave tashmë të krijuara ndërmjet disa vendeve në Azi .
Ai ka shtuar se Evropa qartë ka thënë të jetë e lodhur nga zgjerimi.
“E edhe ne jemi lodhur nga politika juaj që vazhdimisht i ndërron qëllimet dhe vë kushtet dhe për shkak se ne gjithmonë duhet të jemi të lumtur se mund të bisedojmë me ju. Nëse keni interes të jemi pjesë e BE-së, shumë mirë, ejani të merremi vesh. Nëse jo, na thoni”.
Ai e ka quajtur dyfytyrësi politikën evropiane e cila gjithmonë përsërit se rajoni ka perspektivë evropiane.
Por kur – kurrë, ka thënë ndër të tjera Vulin.