Von Cramon: Presidenti Vuçiq mbyt çdo zë kritik në Serbi
“Për mua, ky udhëtim ishte veç një konfirmim në praktikë se Partia Progresiste në Serbi e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, vazhdon të përdorë çdo mundësi për të sulmuar dhe mbytur zërat kritikë”, ka thënë Viola von Cramon, anëtarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovë, në një intervistë për Danas, pas vizitës në Serbi.
Ajo në këtë udhëtim, ishte pritur edhe nga një protestë e organizuar nga disa asamblistë të partisë së Aleksandër Vuçiç, derisa po bënte një vizitë në një komunë serbe.
“Kosova është zemra e Serbisë” dhe “nuk do na e marrësh Kosovën dot”, ishin brohoritjet me të cilat u prit Von Cramon.
“Jam e shqetësuar me gjithçka që kam parë në Loznicë”, ka thënë ajo.
I shqetësuar me atë çka ngjau në këtë vizitë të Cramon në qytetin serb të Loznicës, ishte edhe Dragan Pajiç, anëtar i Asamblesë Komunale të Loznicës, nga lista e pavarur qytetare.
“Një grup prej diku 10 vetash nga partia e Vuçiç u shfaqën për t’i dhënë vizitës një ngjyrim tjetër me prezencën e tyre dhe fjalët degraduese”.
“Në të njëjtën kohë ata kishin pas vetës kamerat dhe mediat e pushtetit për ta riformuar këtë vizitë si u konvenon atyre. Normalisht, narracioni ishte se Von Cramon ka tradhtuar në rastin e Kosovës. Kjo është absurde, ajo mund të tradhtojë Bavarinë, apo ndonjë pjesë të Gjermanisë, por jo ne, pasi ajo është gjermane”, deklaroi ai.
Politikanja gjermane Von Cramon në vazhdimësi ka qenë kritike për mungesën e demokracisë në Serbi dhe stilin autoritar të regjimit të Vuçiç.
Shqetësime këto të cilat i ka shfaqur në vazhdimësi edhe në raportimet e saj në Parlamentin Evropian.