Bota

Turqia organizon takim trepalësh për paqe në Afganistan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij do të jetë nikoqir i udhëheqësve të Pakistanit dhe Afganistanit, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund kryengritjes 17-vjeçare të talibanëve afganë.

Erdogan, duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, në Ankara, tha se takimi trepalësh do të zhvillohet në Stamboll, pas zgjedhjeve lokale të marsit.

Khan u tha gazetarëve se shpreson se takimi do ta sjellë “paqen aq të nevojshme” në Afganistan.

“Pakistani tashmë po e ndihmon dialogun midis talibanëve dhe amerikanëve”, tha Khan, i cili zhvilloi vizitën e parë në Turqi prejse ka fituar pushtetin në muajin gusht.
“Shpresojmë se Afganistani, Pakistani dhe Turqia do të mund të ndihmojnë në këtë proces të paqes”, tha Khan.

Njoftimi për takimin trepalësh vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të nxisin negociata midis talibanëve dhe Qeverisë në Kabul.

I dërguari i posaçëm amerikan, Zalmay Khalilzad, ka mbajtur së paku tre raunde takimesh me zyrtarët talibanë në muajt e fundit në Lindjen e Mesme, edhe pse militantët kanë refuzuar të bisedojnë drejtpërdrejt me Qeverinë afgane.