Thaçi për ankesat e Kurtit te Mike Pence: Le t’i shkruajë kujtdo, SHBA-ja e njeh realitetin këtu
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur sot para mediave pas Samitit të Zagrebit, raporton Gazeta Express.
I pari i vendit tha se Kosova është vend i pavarur dhe sovran e se dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura.
“Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica e vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura, këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush. Nuk jam këtu t’i komentoj deklarimet e këtij apo atij zyrtari, por të përfaqësoj vizionin e politikës dhe institucioneve kosovare, të vendit të pavarur dhe sovran duke respektuar integritetin territorial të saj”, tha ai.
Presidenti i shtetit ka shtuar se beson në SHBA-në dhe BE-në në këtë fazë të marrëveshjes finale, teksa thotë se do të rezultojë në njohje të shtetit të Kosovës.
“Zyrtarët e Serbisë kanë theksuar edhe më herët që s’ka gjasa as për liri as për pavarësi, po ja që i gëzojmë, unë vazhdoj të besoj në Shtetet e Bashkuara në koordinim me BE-në që do të rezultojë në njohje të shtetit”, ka deklaruar ai.
Thaçi është pyetur edhe për letrën që dje u bë e ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka dërguar numrit dy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zëvendëspresidentit Mike Pence, në mes të muajit prill të këtij viti.
Ai tha se janë të lirë t’i shkruajnë kujtdo dhe se SHBA-ja e njeh realitetin në Kosovë.
“Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës ka pasur gjithmonë besim në përkushtimin dhe rolin e SHBA-së.
Nuk janë me rëndësi deklarimet e Beogradit, sa është me rëndësi uniteti. Sa i përket letrave që theksuat unë nuk jam duke lexuar, nuk i kam pasur nëpër duart e mia. Është e lirë që t’i shkruajnë kujtdo çkado, nuk e kam ndërmend të merrem me këto letra. SHBA-ja e njeh realitetin në Kosovë shumë mirë dhe të gjithë të tjerët”, tha presidenti. /