LajmeTë fundit

Sot nënshkruhet Marrëveshja për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan – Miratoc

Maqedonia e Veriut dhe Serbia sot do të nënshkruajnë Marrëveshjen për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan Miratoc që lidh rajonin e Kumanovës me ate të Luginës së Preshevës në anën tjetër të kufirit.

Marrëveshja do të nënshkruhet sot në Shkup në njërën anë nga ministri i brendshëm dhe zv/kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani dhe nga pala serb nga ministri i brendshëm, Nebojsha Stefanoviq.

Banorët e vendbanimeve të afërta kufitare tanimë mbi 20 vite kërkojnë hapjen e kësaj pike kufitare, për shkak të lidhjeve të ngushta kufitare.

Lidhjet janë sidomos midis dy vendbanimeve Miratoc nga ana e Serbisë që është vetëm dy kilometra larg fshatit Llojan, ndërsa banorët e dy vendeve detyrohen të udhëtojnë shumë kilometra për të vizituar familjet e tyre.

Për hapjen e kësaj pike kufitare ishte premtuar gjatë shumë cikleve zgjedhore, por arsyetimet ishin se nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe.

Hapja e kësaj pike kufitare ka qenë një nga premtimet kryesore të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili kishte thënë se do të jap llogari deri me dorëheqje, nëse nuk do të realizohej ky premtim.

Ai është vlerësuar për angazhimin maksimal me diplomatë europerëndimor në Beograd, sidomos me ambasadën norvegjeze, e cila e ka mbështetur këtë nisme të kreut të Preshevës.

Kjo pikë kufitare do të jetë vetëm për kalimin e udhëtarëve dhe makinave, dhe se fillimisht pritet të jetë e hapur me një orar të kufizuar nga mëngjesi deri në orën 22.00.