Serbia vendi i parë në Ballkan që prodhon makinat elektrike

Procesi ka nisur në fabrikën e kompanisë ‘FIAT’ dhe modelet priten të dalin në shitje nga gjysma e vitit të ardhshëm.

“Ky është fillimi i një epoke të re”, me këto fjalë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka hapur fjalimin e tij për fillimin e prodhimit të makinave elektrike në fabrikën e FIAT-it në Kragujevac.

Automjetet nga kjo fabrikë pritet të dalin në shitje në gjysmën e vitit 2024, ndërsa modeli mbetet akoma sekret.

Presidenti Vuçiç tha se Serbia do ecë në hapat e njëjtë me botën modern sa i takon prodhimit të makinave elektrike.

Kontrata e nënshkruar mes kompanisë dhe shtetit serb parashikon një periudhë tranzicioni deri në vitin 2023, në mënyrë që fabrika të përshtatet me prodhimin e modelit të ri.

Kalimi nga makinat tradicionale tek ato elektrike sjellin ndryshime për energjinë dhe ekonominë. Për prodhuesit, modeli i ri përbën një revolucion në industrinë e automjeteve.

Carlos Tavares, shef ekzekutiv i FIAT-it tha se ndryshimet janë të panjohura në industrinë automobilistike për shkak të ndryshimit të teknologjisë.

Marrëveshja e nënshkruar do të ndihmojë kompaninë të arrijë 100% shitje në tregun e përzierë të makinave elektrike në Europë brenda kësaj dekade, si dhe zero emetime brenda vitit 2038.