Lajme

REAGON ALBULENA HAXHIU: ÇFARË ZORI KA KQZ-JA QË PO LEJON VERIFIKIMIN E ZARFEVE NGA SERBIA NË KËTË MËNYRË

Ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka reaguar pas fillimit të verifikimit të votave që kanë ardhur nga Serbia, ku zyrtarët janë future pas dhjetë ditëve në hapësirën ku mbahen këto zarfe me veshje sigurie e maska.

Haxhiu ka kërkuar të dijë se cfarë zori ka KQZ-ja që po verifikon votat që sipas saj kanë arritur kundërligjshëm nga Serbia.

“Çfarë zori ka KQZ që lejon verifikimin e zarfeve që kundërligjshëm kanë ardhur nga Serbia dhe atë në këtë mënyrë?”, tha Haxhiu.

Mbyllja e kësaj hapësire që ndodhet brenda ambientit të Ministrisë së Infrastrukturës u bë nga 13 tetori, kur zyrtarë që po merreshin me verifikim të zarfeve të ardhura nga Serbia iu lajmërua një alergji që çoi në hospitalizim të më shumë se 20 personave.

Zyrtarët për verifikim të zarfeve me fletëvotime nga Serbia të cilët punën e tyre e rifilluan pas 10 ditësh, për KosovaPress kanë deklaruar se po ndihet aroma e njëjtë sikur ditën e 13 tetorit kur janë hapur për herë të parë këto zarfe. Ndërsa ata janë pajisur me maska, dorëza e veshje të veçantë.