Shqipëri

Rama: Turqia është mike dhe miqësia me Turqinë nuk preket nga asnjë erë që fryn

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pritjes së organizuar për ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Tiranë, ka folur për marrëdhëniet me Turqinë, Maqedoninë, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera.

I pranishëm në pritjen e organizuar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë ishte edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Rama theksoi gjatë fjalës së tij se Turqia mbetet një partner i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik.

“Dua ta ritheksoj se, ashtu siç ka qenë që në ditën e parë, ashtu mbetet për ne e domosdoshme që në këtë trekëndësh të partneriteteve strategjike mes Greqisë, Italisë dhe Turqisë, radhën vendoseni si të doni, që të mos kemi probleme me radhën, ne të thellojmë bashkëpunimin. Për ne, Italia nuk diskutohet është porta hyrëse drejt rrugëtimit tonë të së ardhmes evropiane dhe Turqia mbetet një partner i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik, pavarësisht sesi mund të fryjnë hera-herës erërat e marrëdhënieve të miqve të tjerë me Turqinë. Turqia është mike dhe miqësia me Turqinë nuk preket nga asnjë erë që fryn mes miqve tanë dhe Turqisë mike”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila, sipas tij, të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian(BE).

“Ne jemi përgatitur dhe në pranverë do të hapim kufirin me Kosovën, por dëshiroj që askush të mos e deformojë qëllimin dhe përmbajtjen e këtij akti, duke e ricikluar përsëri në atë vazhdën e mbetjeve të nacional-folklorizmit të të shkuarës. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë me Maqedoninë. Unë e kam shtruar këtë me kryeministrin Zaev dhe ne jemi gati që të fillojmë punën me Maqedoninë, për të bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, një kufi fluid, sipas modelit Shengen. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me Malin e Zi dhe të njëjtën gjë do dëshironim të kishim në të gjithë zonën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.