LajmeTë fundit

Rahimi Rahimi i PD-së: “Start up” programi i komunës së Bujanocit mbylli 27 biznese lokale

Nënkryetari i partisë Demokratike në Bujanoc, Rahim Rahimi duke folur për qeverisjen komunale ka thënë se po dëmtohet interesi shqiptar, shkruan Titulli.com. 

Ai në një konferencë për media është shprehur se partia e tij po mundohet të ndalë të keqen që po i kanoset qytetarëve. 

“Me  kalimin e kohës çdo ditë e më shumë po binden për premtimet e rrejshme elektorale, si premtimi i madh për Shtëpinë e Shëndetit, përdorimin e dygjuhësisë, zhvillimin ekonomik, premtimin se kultivuesve të duhanit do t’u gjej zgjidhje”, theksoi Rahimi.

 Sipas tij  këto ishin vetëm premtime elektorale por ajo u kuptua shumë shpejt dhe se për më keq në këtë pushtet ka filluar të lulëzojë korrupsioni dhe hajnia. 

“Këtë pushtet e ka kapluar korrupsioni dëshmon edhe fakti për ndarjen e mjeteve për bujqit lokal, ku në mesin e përfituesve ka edhe shefa e kryeshefa, por edhe militantë të PVD-së të cilët asnjëherë nuk e kanë punuar në bujqësi. Ky fakt bëhet dhe më i besueshëm ngaqë edhe pse PD zyrtarisht kërkoi nga komisioni listën e përfituesve, ajo asnjëherë nuk u publikua”, tha mes tjerash Rahimi. 

Rahimi tha se keqpërdorime e kushtëzime në këmbim të votës ka pasur edhe me rastin e ndarjes së mjeteve për ndërmarrësi. 

“Në programin START UP ku 27 firma brenda dy muajve kanë shuar bizneset e tyre, dhe paratë e dedikuara për zhvillim të biznesit u shfrytëzuan për këmbim të votave për zgjedhjet e KNSH-së që u mbajtën vitin e kaluar”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Rahim Rahimi.

Rahimi ka folur edhe për projektet më kapitale i cili në cilësinë e këshilltarit të kuvendit komunal ka kërkuar përgjigje me shkrim se a është nënshkruar ndonjë aneks kontratë rreth projektit të shtratit të lumit në Tërnoc dhe a është bërë pranim dorëzimi i këtij projekti.