Qeveria e Kosovës urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses
Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Kurti ka thënë se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.
“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë agjencionit kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se Komiteti përgjegjës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës edhe në raportin e fundit ka thënë se ky ngel kusht që duhet plotësuar për anëtarësim. Teksa ka thënë se kanë bërë përpjekje që ky kusht të hiqet, Kurti ka deklaruar se “janë bindur se duhet të zgjidhim një vendim, se s’ka zgjidhje të tretë”.
“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovë ne pavarur. Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit. Askush s’ka të drejtë t’ua humbasë qytetarëve të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë diplomatike panevropiane”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se më 22 mars Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së mban mbledhje të jashtëzakonshme, e kah mesi i prillit mblidhet Asambleja e Përgjithshme. Në fund të majit do të jetë mbledhja e Këshillit të ministrave që vendos për anëtarësimin e Kosovës ose jo.