Lajme

Prokuroria në Hagë: Të akuzuarit kryen krime për të fituar pushtet

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi para trupit gjykues se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

Ai tha të hënën se të akuzuarit kryen krime dhe nxitën kryerjen e krimeve gjatë luftës, ndërsa shtoi se për këtë ishte e njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Të akuzuarit u përfshin në zbatimin e kësaj politike, përfshirë duke caktuar komandantët dhe strukturat. Provat do të tregojnë se politika u vu në jetë, që prej fillimit e deri në fund të luftës, nga veriu dhe në jug dhe pati praktikë shenjëstrimin e kundërshtarëve. Qëllimi kriminal për t’i vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte i fshehtë. Mesazhi përsëritej se kush pretendoi se kush ishte tradhtar, përbënte kërcënim”, tha ai.

Sipas Whiting, në 20 vjetët e fundit është kërkuar që viktimat dhe familjarët e tyre ta mbyllin gojën dhe të mos flasin për krimet, por sipas pretendimeve të tij, kjo nuk ishte e lehtë për ata që kanë përjetuar dhimbje.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me krimet që kanë bërë këtë katër të akuzuarit, një vështirësi për këtë proces do të jetë vetëm frika që do të kenë dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor…Është e lehtë t’i thuash këto kur nuk je viktimë, por për viktimat e ngritura në aktakuzë, dëmi dhe traumat janë diçka që jetojnë përditë. E mbajnë gjithmonë mbi supe. Viktimat kanë të drejtë të gjykohen dhe për ta të vihet në vend drejtësia”, tha ai.

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, shtoi se Thaçi kishte shkuar disa herë në Hagë dhe ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorisë Speciale për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’u dhënë ZPS-së intervistë të videoinxhizuar. Gjatë këtyre intervistave, ai mohoi shumëçka me rolin e tij në luftë dhe rolin e UÇK-s. Ai pretendoi se shtabi i përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-s, e edhe para kësaj date, ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat do të tregojnë se këto pretendime janë të rreme”, shtoi ai.

“Thaçi dhe Veseli ishin persona që kishin kontaktuar me persona në diasporë. Një ndër ushtarakët ishte Myslim Zyrapi, që hyri në maj të 98-s i shoqëruar nga Thaçi e Veseli. Ai ishte ushtarak profesionist dhe mbajti poste të larta në UCK gjatë gjithë luftës. Thaçi ka thënë se kishte marrë detyrën për zyrën politike drejt fundit…Komunikatat ishin një lloj i veçantë komunikimi dhe ishin element i rëndësishëm për Thaçin e Krasniqin”, deklaroi zyrtari nga Prokuroria.

Prokuroria i prezantoi disa filmime të intervistave të mëhershme të Thaçit, Selimit. U përmend edhe Fatmir Limaj, si komandant i UÇK-së.